fbpx

Edicioni i dytë i “Kala Festival” – shiten 90% të biletave 

Edicioni i dytë i “Kala Festival” – shiten 90% të biletave 

Pas edicionit të parë, jashtëzakonisht të suksesshëm që u mbajt verën e kaluar në Dhërmi të Shqipërisë, festivali i muzikës elektronike “Kala” do të rikthehet nga 12 deri me 19 qershor përsëri në Dhërmi.

I organizuar nga kompani britantike, festivali ka sjellë vitin e kaluar afro 2 mijë turistë të huaj, adhurues të muzikës elektronike, që kanë shijuar bregdetin e jugut të Shqipërisë dhe muzikën e rafinuar elektronike nga DJ dhe artistë të përzgjedhur me kujdes.

Përderisa vitin e kaluar si këngëtar ishte muzikanti jashtëzakonisht i njohur Tom Misch sivjet janë ikonat e muzikës elektronike nga Detroiti të themeluar në vitin 1987 “Inner City”.

E teksa vitin e kaluar DJ “Peggy Gou” ateroi në Dhërmi sivjet është DJ i jashtëzakonshëm japonez Hunee. Ama lista e sivjetme e DJ performuesve në “Kala Festival” është e jashtëzakonshme. Jo vetëm nga emrat e mëdhenj sikurse Jordan Rakei dhe Hercules & Love Affair por edhe për nga mënyra sesi DJ artistët janë bashkërenditur për të luajtur në 9 ditët sa do të zgjasë festivali.

Shumica e audiencës në “Kala Festival” janë ndërkombëtare por edhe sivjet festivali ka ofruar një numër biletash për audiencën nga Kosova dhe Shqipëria.

Përpos DJ-ve që do të përformojnë LIVE dhe DJ set në Dhërmi, festivali mbahet mend edhe për lokacionin tjetër që është në Gjipe. Aty gjatë të premtës, së shtunës dhe të dielës do të performojnë DJ të njohur si Brian Not Brian, Jan Schulte, Jamie Tiller, John Gómez, Lauren Hansom, Nick The Record.

Organizatorët e festivalit i thanë “Insajderit” se sivjet biletat janë shitur më shpejt sesa vitin e kaluar.

“Deri më tani janë shitur mbi 90 për qind e biletave. Janë edhe disa për audiencën lokale”, thanë ata në një përgjigje. Insajderi do të jetë në këtë festival për të përcjellë nga afër gjithçka që ndodhë.