Edicioni i ri i festivalit HAPU fillon me një kërkim lëmoshe për dashuri

Edicioni i ri i festivalit HAPU fillon me një kërkim lëmoshe për dashuri

Edicioni i sivjetshëm i Festivalit të Artit në Hapsirë Publike, apo si është quajtur këtë vit HAPUDEMIA, do të nis sot me datën 25 shtator me dy intervenime artistike nëpër sheshet kryesore të qytetit të Prishtinës.

Festivali i Artit në Hapësirë Publike HAPU, një festival që organizohet nga Teatri ODA, është konceptuar këtë vit si një HAPUDEMI e cila do të zhvillohet në pjesën e mbetur të vitit 2020 përmes intervenimeve të shumëta artistike, e të cilat ftojnë publikun dhe artistët në një proces të hapjes të takohen në mënyrat e mundshme që lejojnë rrethanat në hapësirën publike dhe në hapësirën publike digjitale, përkatësisht internetin dhe mjetet e teknologjisë informative.

Performanca e artistes Fitore Alísdóttir Berisha e cila quhet “LOVE ME PLEASE!” do të nis festivalin.

Kjo performancë është një mënyrë artistike për më shumë dashuri, në një kohë të vështirë për gjithë globin.

“Kërkim lëmoshe për dashuri. Një fytyrë. Emocion i njeriut të pashpresë. I lodhur, i hutuar e i tradhtuar. I izoluar e i mbërthyer duke kërkuar dashuri, duke thirrur për përfshirje”.

Fitore Alísdóttir Berisha ka ndërtuar një kontrast intrigues të sloganit komercial shumë të ekspozuar për dashurinë për qytetin apo vendin në një ftesë për qytetet apo vendet “të dashurojnë” të margjinalizuarit dhe të izoluarit. Kësaj radhe është thirrje për Evropën t’i “dojë” qytetarët e Kosovës, të lënë të izoluar për një kohë shumë të gjatë. Fitorja po krijon një protestë artistike. Ajo po ju fton t’i bashkëngjiteni protestës dhe të bëheni pjesë e kërkim-lëmoshës së dashurisë. Me artin e saj ajo ka krijuar një vend për juve që të vendoseni në kutinë e tejdukshme prapa fytyrës së pashpresë në kërkim të dashurisë. Bëni fotografi të vetes brenda kutisë dhe shpërndajeni atë dhe sloganin me hashtagun #lovemeplease dhe #hapudemia2020./Insajderi.com