Editorial: Festa komike për mosdekretimin e Gent Cakajt

Editorial nga Periskopi

Editorial: Festa komike për mosdekretimin e Gent Cakajt

Gent Cakaj është emri i një djali të ri, të dijshëm dhe elokuent nga Kosova. Vendi i tij i lindjes, pra vendi ynë, nuk ka prodhuar shumë të rinj si Genti. Sa i përket cilësisë së arsimit ajo doli e fundit në Evropë, dhe e treta nga fundi në botë.

E megjithatë, Gent Cakaj u paragjykua e u sulmua në mënyrë të pamëshirshme në Shqipëri e në Kosovë. I bëri disa gabime në gjuhën angleze dhe ishte i ri. Kaq mjaftonte që të nisnin sulmet dhe përbuzja ndaj tij.

Por, sot u bë e ditur se njeriu më i korruptuar në Shqipëri – që ka qëlluar të jetë edhe president – Ilir Meta, refuzoi ta dekretonte si ministër. Ai dha arsyen banale se ai ishte i papërvojë e i papërgjegjshëm [shkaku që nuk kishte plotësuar disa dokumente të sigurisë] dhe më e rëndësishmja: se nuk ishte deklaruar kundër korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë!

Lajmin e pasuan reagimet me ekzaltim nga shumë njerëz e grupe politike në Kosovë. Ta përmendim me fjalë: u gëzuan që nuk u emërua një i ri nga Kosova në rolin e ministrit të jashtëm në Qeverinë Shqiptare! Me të drejtë, një i huaj mund të pyes: pse? Përgjigjja është tmerrësisht shqetësuese. Paragjykimi.

Në rend të parë, Cakaj u paragjykua si njeri i lidhur me Hashim Thaçin dhe idenë e tij të korrigjimit të kufijve, e mbështetur edhe nga gazetari i njohur Baton Haxhiu.

Marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë është e sponzorizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian. Cila do të ishte pesha reale politike e Gent Cakajt si ministër i jashtëm shqiptar në këtë proces? Nuk është pritur as nga Ditmir Bushati, as nga Edmond Haxhinasto e as nga ndonjë tjetër dhe nuk mund të pritej as nga kosovari në fjalë që të bëhej pengesë për Kosovën në procesin që është drejt përfundimit.

Kësisoj, reagimi kundër tij përbën manifestim të dobësisë dhe dështimeve të njëpasnjëshme politike të grupeve politike në fjalë. Ata nuk arritën që asnjëherë të vetme ta çonin përpara një proces, apo edhe ta ndalnin një të tillë brenda Kosovës përkundër aktivitetit të ngjeshur disavjeçar. Kjo e bën tepër komike festën e tyre për mosdekretimin e Cakajt.

Duhet të kujtojmë se para dy ditësh, më 8 janar, një ekip prej 8 burrash u takua në Bruksel me përfaqësueset e BE-së. Nuk u morën seriozisht. Takimi u quajt konsultativ. Mogherini kërkon bisedime me Thaçin dhe Vuçiqin. Nga ky këndvështrim mund të pyesim seriozisht: çfarë peshe do të kishte ministri i jashtëm i Shqipërisë në negociatat Thaçi-Mogherini-Vuçiq? Po të emërohej Veton Surroi apo Murat Jashari [i propozuar nga Rexhep Selimi i VV-së] ministër i jashtëm, a do të rritej kjo peshë?

E gjithë kjo është një tjetër shpërfaqje e iracionalitetit dhe frustrimit politik me takatin e dobët dhe mendjen e lodhur për të nxitur ndryshime përmbajtësore!