Edon Zhegrova dhe Qeqa Krelani

Shkruan Dimal Basha

Edon Zhegrova dhe Qeqa Krelani

Duke ndërruar kanale, krejt rastësisht më ra të shoh një emision sportiv në një nga televizionet tona dhe gjatë bisedës aty kuptova që një komentatore e quajtur Qeqa Krelani e paska quajtur Edon Zhegrovën ‘idiot’. Ky termi ‘idiot’ paska qenë vlerësimi i saj për lojtarin. Përveç kësaj gafe, komentatorja vetëm se vazhdonte duke u mburrur me këtë budallaki duke vazhduar me ofendime ndaj lojtarit duke e quajtur Edonin si “i ri.”

E para, nëse je e thirrur për të analizu futboll, atëherë kuptoje që roli yt mbaron tek vlerësimi për lojën e lojtarëve, por jo për inteligjencën, moshën, apo jetën e tyre personale. Prandaj, nesë arrin me kuptu këtë pjesë, ti duhesh rrjedhimisht të  kuptosh që kritika jote ndaj Zhegrovës dhe secilit lojtar mbaron tek loja e tyre, por jo tek vet personi. Kurse kur i thua dikujt ‘idiot’, ti po e ofendon direkt personin, dhe jo lojën e tij. Kur ke kohë, hyn lexo për sulmet ad hominem dhe ndoshta fillon me kuptu dallimin, dhe rrjedhimisht injorancën tënde.

E dyta, nëse s’e ke ditur, mosha nuk është mates i inteligjencës. Shumë më i mençur ishte injorimi i Edonit ndaj teje, sesa ofendimi juaj drejt tij, dhe ky është një ilustrim që tregon se mundesh me pasë shumë vjet, e pak mend. Nëse shembulli i Edonit nuk të ka shërbyer për të mësuar, atëherë kuptoje që inteligjenca matet me dije, jo me vite.

Kjo nuk do të thotë që nuk merr vesh në futboll, sepse ka shumë që e marrin sulm ndaj teje sepse munden me besu se kam ra pre e paragjykimeve se ti i takon gjinisë femërore dhe rrjedhimisht nuk kupton futboll. Ta hjek këtë merak, sepse nuk e kam këtë bindje, edhe pse nuk e di sa analizon dhe nuk kam ndonjë vlerësim sepse nuk të kam degju ndonjëherë. Ti edhe ndoshta e kupton futbollin më mirë se unë, por në të njejtën kohë mundesh me qenë shumë banale, ofenduese, dhe e pamençur në shumë gjëra tjera. Këto dyja nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe besoj ti je vet shembull i këtij argumenti, sepse derisa ta zëmë e njeh mirë futbollin, ti nuk je në dijeni për dallimin mes futbollit dhe futbollistit dhe prandaj del prej detyrës që je thirr dhe në vend se të vlerësosh lojë, bën vlerësime për njerëz.

Arsyeja e tretë është shkaku që më shtyri të shkruaj këta rreshta. Në vend se të kërkosh falje – sepse unë besoj se të gjithë jemi të vdekshëm dhe gabojmë – ti ishe ende e bindur dhe mburreshe që i quan dikë ‘idiot’ me arsyetimin se ato që fliten rrugëve, ti i thua në mikrofon. Unë mendoj se para se të futesh në televizion është dashur të ta shpjegojnë dallimin mes fjalës se kafeve dhe asaj publike. Fjala publike ka përgjegjësi, kurse ajo e kafeve, mbetet në kafe.

Tjetra, në kafe mund të kontaminosh 2 apo 3 njerëz që i ke afër që ndoshta nuk kanë as vlerë dhe as përgjegjësi, kurse të njejtën nuk mundesh të bësh me publikun. Ofendimi nuk arsyetohet as në kafe dhe as në televizion, mirëpo përgjegjësia është më e madhe tek fjala publike, dhe kur një analiste si ti nuk ka përgjegjësi për ofendimet ndaj lojtarëve, atëhere ti vlerësohesh person i papërgjegjshëm që nuk e ka vendin në ekranet tona, por në kafe. Kur ti ofendon lojtarë me sulme ad hominem dhe i mbron ato në publik, atëherë ti nuk e ke vendin në ekran më sepse kjo e banalizon debatin dhe e kontaminon publikun e gjerë.

Për fund, unë shpresoj që këta rreshta të bën të ndryshoh mendje dhe të kërkosh falje publike për sulmin personal ndaj Edonit, sepse ti je e thirrur të vlerësosh lojën, e jo lojtarët. Mirëpo nëse nuk arrin me kuptu këtë dallim mes futbollit dhe futbollistëve, ti nuk arrin me kuptu punën që kryen dhe rrjedhimisht nuk e ke vendin aty, sepse budallakitë nuk kanë vend në ekran, dhe njëherit ato nuk njohin as gjini, dhe as moshë.