Efekti “Fortnite” po shkatërron studiot e mëdha të video lojërave

Efekti “Fortnite” po shkatërron studiot e mëdha të video lojërave

Activision Blizzard tha ditën e Marte se do të shkurtonte 8% të fuqisë punëtore në lojërat si Call of Duty, Overwatch, Warcraft dhe Candy Crush.

Ndërsa shënoi të ardhura rekord prej 2.84 miliardë dollarësh, kompania nuk arriti dot tek pritshmëritë e analistëve prej 3 miliardë dollarësh.

Gjithashtu për tremujorin e ardhshëm kompania ka parashikuar 1.18 miliardë dollarë të ardhura, më pak sesa pritshmëritë prej 1.48 miliardë dollarë.

Lajmet zhgënjyese të Activision Blizzard vinë pak ditë pasi Electronic Arts (EA) gjithashtu postoi të ardhura më të ulëta së bashku me Take-Two Interactive

Tre gjigandët e video lojërave përballen me dy probleme të mëdha: rënia e shitjeve dhe suksesi i Fortnite.

Kjo lojë çdo ditë vijon të fitojë betejën e vëmendjes së konsumatorëve. Në industrinë e lojërave nuk ka më titujt B por thjeshtë A dhe D.

Activision-Blizzard, kompania pas lojërave të famshme si “Diablo”, “World of Warcraft”, “Call of Duty”, “Overwatch” ka parë numrin e përdoruesve aktivë të tkurret në 345 milionë në 2018-ën nga 384 milion që kishte një vit më parë.

Divizioni King i serive Candy Crush për tetë tremujorë me radhë raportoi rënie të përdoruesve nga 317 milion në 2017-ën në 262 milionë në 2018.

Kompanitë kanë nevojë për një hit ose kanë humbur

Lojërat kushtojnë miliona dollarë dhe duan vite për tu zhvilluar. Titujt që nuk përmbushin pritshmëritë mund të dëmtojnë rëndë publikuesit dhe zhvilluesit.

Rasti i EA ku raportoi shitjen e 1 milion kopjeve më pak sesa kishte pritur me “Battlefield 5” është një shembull konkret.

Battlefield 5 duhej të vinte me një stil loje të “Fortnite” por pas shtyrjesh të vazhdueshme plani i EA nuk u realizua. Aksionet e EA ranë si asnjë herë më parë në 10 vitet e fundit.