Ekskluzive: Foto nga kamerat e sigurisë në banjot e kolegjit “Mehmet Akif”

Ekskluzive: Foto nga kamerat e sigurisë në banjot e kolegjit “Mehmet Akif”

Gazeta Insajderi ka siguruar disa fotografi të kamerave të sigurisë në Kolegjin “Mehmet Akif” për të cilat Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi me 12 mijë euro gjobë.

Sipas vendimit të Gjykatës, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se kamerat e sigurisë ishin të vendosura në zyra, klasa mësimi dhe në tualete.

“Dënohet me gjobë më shumën prej 6 mijë euro, për veprën kundërvajtje sipas nenit 62 paragrafi 1 dhe 4 të ligjit 03/L-172. Me gjobë prej 6 mijë euro për veprën kundërvajtje sipas nenit 64 paragrafi 3 të ligjit 03/L-172”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Për të njëjtin rast kishte njoftuar edhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjet e të Dhënave Personale (AShMDhP).

“Zyrtarë të Agjencisë, gjatë inspektimit të zhvilluar në maj të vitit 2016, kishin konstatuar se ky kolegj kishte instaluar kamera në hapësira të punës, si zyra, mësojtore (klasa mësimi) si dhe hapësira sanitare (tualete të kolegjit)”, thuhet në njoftimin e kësaj agjencie.

Në fotografitë të cilat i ka siguruar Gazeta Insajderi, kamerat e sigurisë shihen të vendosura brenda banjos, në klasa dhe në zyra.

Për të njëjtin rast Kolegjit “Mehmet Akif” i ishte tërhequr vërejtja edhe në vitin 2014.

“Po ashtu gjykata analizoi dhe shqyrtoi provat e prezantuara nga parashtruesi i kërkesës, e përmes të cilave konstatoi: se të pandehurit edhe në 2014-ën i isht kërkuar ndërprerja e vëzhgimit me kamera në hapësirat e punës (klasa dhe zyra) dhe hapësirat sanitare, e të cilën kërkesë nuk e kishte përfillur dhe zbatuar (fakti ky i vërtetuar me Vendimin e ASHMDHP-së nr. 52 të dt. 20.08.2014, ankesën anonime të dt. 02.03.2016 të parashtruar përmes emailit në ASHMDHM, fotografitë e kamerave të vendosura në kolegjin Mehmet Akif, NSH “QEA GULISTAN”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

AShMDhP këtë rast e kishte iniciuar më 5 maj2016, për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj Kolegjit ‘Mehmet Akif’.

Kurse më 9 shkurt 2018, Divizioni për Kundërvajtje i Gjykatës Themelore në Prishtinë, shqiptoi gjobën prej €12.000 për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamera në hapësira që nuk lejohet instalimi i kamerave.

Vlen të theksohet se vëzhgimi me kamera lejohet vetëm nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe sigurimin e pasurisë, edhe atë vetëm në hyrjet e ndërtesave, por jo edhe në hapësirat e brendshme të punës, e aq më pak në hapësirat sanitare, respektivisht tualete./Insajderi.com