fbpx

Ekskluzive: Plani i Thaçit për të shpëtuar nga Gjykata Speciale

Presidenti i vendit kishte hartuar një plan të detajizuar për ta shpëtuar veten nga aktakuza. Ai ka dashur që Kuvendi ta ndryshojë ligjin, por në fund mos ta nënshkruaj atë. Gjatë afatit prej tetë ditësh që ka për nënshkrimin e Ligjit, ka planifikuar të negociojë me ndërkombëtarët dhe të marrë garanci se nuk do të akuzohet në mënyrë që mos ta nënshkruaj Ligjin. Ky plan ka dështuar kur Limaj ka kërkuar që hyrja në fuqi e Ligjit të ndodh në momentin e miratimit në Kuvend e jo në momentin e nënshkrimit nga presidenti. Kjo pikë ka shkatërruar gjithë planin e Thaçit. 

Ekskluzive: Plani i Thaçit për të shpëtuar nga Gjykata Speciale

Presidentit Hashim Thaçi i ka dështuar të premten plani për ta shpëtuar vetën nga Gjykata Speciale.

Ai ka provuar që ta ndryshojë Ligjin me anë të Kuvendit për të negociuar me ndërkombëtarët arrestimin e tij.

Burime nga takimet e së premtes i kanë thënë Insajderit se Thaçi ka dashur miratimin e një ligji të ri të cilin nuk do ta nënshkruante hyrjen në fuqi derisa t`i garantohej se nuk do të akuzohet.

“Gjatë takimeve me Haradinajn, Veselin e Limajn, Thaçi ka propozuar që në ligj të shënohet se hyn në fuqi në momentin e nënshkrimit nga presidenti. Gjatë afatit prej tetë ditësh deri në nënshkrim të ligjit ka dashur të negociojë me ndërkombëtarët për marrjen e garancive se vetë nuk do te akuzohet”, ka thënë burimi.

Sipas këtij burimi, Gjykata Speciale do të mbetej në duart e Thaçit në mënyrë që t`i garantohej mosarrestimi.

Por ky detaj në tekstin e Ligjit është kundërshtuar nga lideri i Nismës, Fatmir Limaj.

“Limaj i ka thënë Thaçit që e voton ligjin nëse saktësohet në të se hyn në fuqi në momentin e miratimit në Kuvend. Thaçi ka refuzuar një gjë të tillë, duke insistuar të shkruhet se Ligji hyn në fuqi në afatin prej tetë ditësh. Kjo pikë ka ndikuar që Limaj mos ta mbështes ndryshimin e Ligjit”,  ka thënë burimi.

Mënyrat e hyrjes në fuqi në ligjeve janë të përcaktuara në nenin 80 të Kushtetutës së Kosovës.

Aty thuhet se presidenti mund ta kthejë një Ligj në kuvend duke mos e nënshkruar. Në rast se  Kuvendi voton sërish të njëjtin Ligj, atëherë presidenti nuk ka të drejtë ta kthejë më.

Gjithë kjo kohë është vlerësuar e mjaftueshme nga Thaçi për të negociuar fatin e vetë.

Burimet kanë treguar se gjithë iniciativa për shfuqizimin e Ligjit ka qenë e presidentit duke nisur nga mbledhja e nënshkrimeve nga OLV e UÇK-së.

“Presidenti ka mashtruar kryeministrin Haradinaj duke i thënë se ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve të BE-së për shfuqizimin e Ligjit. Haradinaj ndërkohë duke e ditur që vëllai i tij, Dauti mund të jetë njëri nga të akuzuarit e ka mbështetur këtë iniciativë”, ka thënë burimi.

Të premten për disa ore është provuar ndryshimi i Ligjit.

Zyrtarët e LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk shkuan në Kryesi të Kuvendit, duke e pamundësuar kështu korumin që duhej për mbajtur mbledhjen kryesia.

Kundër kësaj iniciative reaguan ashpër ndërkombëtarët.

Fillimisht ambasadorit Greg Delaëie, reagoi përmes Twitter se nëse anulohet Gjykata Speciale mund të rrezikohet e ardhmja e Kosovës, pastaj edhe  Ambasada e SHBA-ve në Kosovë ka paralajmëruar se ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale do të ketë pasoja negative për Kosovën.

Kurse Ambasadori i Britanisë së madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell, tha se votimi për të shfuqizuar ligjin mbi Gjykatën Speciale do të ishte një tradhti e këtij angazhimi dhe do të vinte në pikëpyetje nëse Kosova beson në drejtësi.

“Por, është matës pjekuria e një shteti për mënyrën se si i zgjidh akuzat më të rënda ndaj qytetarëve të saj. Dy vjet më parë, Kosova dha fjalën e saj se do të përballej me ndonjë akuzë dhe i tregoi botës se ajo besonte në drejtësi e jo në mosndëshkimin”, ka thënë O’Connell./Insajderi.com