Ekskluzive: Takimi i mistershëm i drejtorit të ZRRE-së me dy shefat e KEDS-it

Insajderi ka zbuluar se mbrëmë janë takuar fshehtas drejtori i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë me dy shefa të kompanisë KEDS dhe KESCO.

Ekskluzive: Takimi i mistershëm i drejtorit të ZRRE-së me dy shefat e KEDS-it
Burimi i fotografisë: Nga ana e majt Ermal Koçi, Alper Erbas edhe Petrit Pepaj

Në kulmin e kritikave për nënshtrim të ZRRE-së ndaj KEDS-it, është zhvilluar një takim i mistershëm mes shefave të të dy palëve. Insajderi ka zbuluar se Petrit Pepaj, drejtori menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji, ende e ruan miqësinë me menaxherët e lartë të KEDS-it. Pepaj ka qenë vetë menaxher në KEDS, për kohë të gjatë.

Ai ka takuar mbrëmë dy prej shefave të kompanive KEDS dhe KESCO, të cilat e ka për obligim që t`i mbikëqyrë.

Por, ai ka përzgjedhur që t`i takojë ata në kafe, në vend që të zhvilloj takim në zyre me ta. Kjo hedhë dyshime për konflikt interesi dhe marrje të vendimeve nga ZRRE-ja në dëm të konsumatorëve dhe në favor të KEDS-it.

Takimi është zhvilluar në Prishtinë, përkatësisht në një kafe përballë ndërtesës së “Radio Kosovës”, shkruan Insajderi.

Në takim me Pepajn ishin Alper Erbas, drejtor në KESCO dhe Ermal Koçi, drejtor në KEDS.

Insajderi i ka dërguar pyetje kompanisë KEDS për të marrë një përgjigje lidhur me arsyet e takimit. Nuk ka marrë përgjigje.

Ky takim ka ndodhur pasi kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë një intervistë për Insajderin, ku nuk e përjashton mundësinë që KEDS të largohet nga Kosova, nëse vazhdon të mos i përmbushë obligimet, sikurse furnizimi me energji elektrike 24 orë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë për vite më radhë është në thumb të kritikave të opinionit për marrjen e vendimeve në favor të kompanisë turke, duke përfshirë edhe pagesën e faturave të serbëve të veriut, shkruan Insajderi.

Përveç drejtorit të ZRRE-së, Petrit Pepajt, edhe dy anëtar të bordit të rregullatorit të energjisë kanë qenë më herët të punësuar në KEDS. Izet Rushiti dhe Selman Hoti kanë mbajtur poste menaxheriale në KEDS.

Insajderi ka pyetur edhe Pepajn për arsyet e këtij takimi. Ai ka dhënë versionin e tij.

“Bashkëpunimin me ndërmarrjet e licencuara nuk e ndalon ligji përkundrazi kërkon bashkëpunim dhe kjo nuk përbën konflikt interesi”, ka pohuar Pepaj.

Ai ka thënë se ishte Erbas që kërkoi të takoheshin për të sqaruar një çështje që kishte të bënte me ndërprerjen e rrymës. Kjo kërkesë ka ardhur pas vendimit të ZRRE-së që i pamundëson KEDS-it ndërprerjet e paarsyeshme të energjisë elektrike.

Erbas, sipas tij, donte të sqarohej lidhur me një kërkesë për ndërprerje te energjisë nga Ministria e Infrastrukturës.

“Meqenëse nuk ishte orar pune, i kam thënë qe jam në “Mono” dhe mundë të vij pa problem për ta sqaruar kërkesën nëse është e natyrës urgjente. Zt. Erbas ka ardhur ku isha duke pirë kafe. Pasi më ka sqaruar kërkesën e kam udhëzuar që të drejtohet me shkrim për arsyen dhe qëllimin e ndërprerjes tek departamenti për mbrojtjen e konsumatorëve në ZRRE. Kërkesën e pranuar e  ke të bashkangjitur në attachment”, ka thënë Pepaj për Insajderin.

Megjithatë, takimet jashtë zyrave mes drejtuesve të kompanisë private dhe drejtuesit të institucionit shtetëror nisin dyshime të mëdha për shkelje ligjor në kurriz të qytetarëve të Kosovës.

Në shtetet serioze shefat e rregullatorit të energjisë dhe shefat e kompanive private të shpërndarjes së rrymës mbajnë distancë. Nuk lejohen të kenë afërsi dhe të dalin në kafe së bashku, shkruan Insajderi.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike, në një intervistë për emisionin Indoks, ka shpjeguar se si të dy palët detyrohen t`i shmangen konfliktit të interesit.

“Në ShBA ka rregulla strikte për këtë çështje. Përfaqësuesit e rregullatorit të energjisë dhe të kompanisë private nuk lejohen që të futen as në ashensor së bashku”, ka shpjeguar Rukiqi.

Këtu mund ta ndiqni të plotë intervistën ku kryeministri Haradinaj flet për mundësinë e largimit të KEDS-it nga Kosova./Insajderi.com