Eksperti amerikan: S’ka plane për shkëmbim të territoreve

Eksperti amerikan: S’ka plane për shkëmbim të territoreve

Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit amerikan, James Hooper, ka thënë se nuk ka asnjë marrëveshje Kosovë-Serbi e cila mund të përfshijë shkëmbimin e territoreve, teksa shton se dialogu mund të finalizohet para zgjedhjeve në SHBA, nëse Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk e pengon këtë.

Kështu ka theksuar ai së fundi në një përgjigje për Zërin e Amerikës, ku ka cekur se akuzat e SHBA’së ndaj Kurtit janë të drejta dhe se ky i fundit i rrezikoi marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Dhe ajo që ndodhi është se ai lejoi që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të rrezikohen nën udhëheqjen e tij. Tani ai është i brishtë përballë akuzave dhe mendoj se janë akuza të drejta, se ai keqmenaxhoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Mendoj se në Kosovë ka shumë gjera që udhëheqësit mund apo nuk mund t’i bëjnë dhe mund të kritikohen apo jo, por me sa marr vesh unë, marrëdhëniet me Amerikën janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sikundër që mendoj se situata në Kosovë është e rëndësishme për qeverinë amerikane”, tha zoti Hooper.

Ai ka thënë se nuk ka ndonjë plan për ndarje, siç është përmendur në publik, dhe se marrëveshja do të duhej të përfundonte me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe përfundimin e konfiktit mes dy vendeve.

“Nuk ka një plan për ndarje, dhe nuk është diçka për të cilën zoti Vuçiç dhe zoti Thaçi kanë biseduar. Ata kanë biseduar për marrëdhënie të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe ato marrëdhënie do të kishin një numër komponentësh, një prej të cilëve përfshinë demarkacionin e kufijve. Ajo përfshinë po ashtu anëtarësimin e Kosovës ne Kombet e Bashkuara dhe përfundimin e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë  Hooper.