Eksperti jep vlerësimin për punëtorin e KEK-ut që u rrëzua nga skena

Eksperti jep vlerësimin për punëtorin e KEK-ut që u rrëzua nga skena

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), është përgjegjësi kryesor për lëndimet që ka pësuar punëtori me rastin e rrëzimit nga skela.

Një konstatim të tillë, e ka dhënë eksperti për mbrojtje dhe siguri në punë, Hysen Hysenaj, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku punëtori Afrim Muqiqi, e ka paditur KEK-un, nga e cila kërkon kompensimin e dëmit, për lëndimet që pretendon se i janë shkaktuar pasi ishte rrëzuar nga skena, teksa ishte duke punuar.

Për këtë, me anë të padisë, ai po kërkon që për dëmin material dhe jo material të kompensohet në shumë prej 4900 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Eksperti Hysenaj, gjatë sqarimit të ekspertizës së 15 majit 2019, ka thënë se përgjegjës primar për lëndimet që ka pësuar paditësi gjatë orarit të punës është KEK-u, ndërsa përgjegjës sekondar, sipas tij, është edhe paditësi.

Ai ka thënë se ndarjen përgjegjësisë për shkaktimin e aksidentit e ka bërë, duke marr parasysh lëshimet e KEK-ut.

Ai gjatë pyetjeve të përfaqësueses së të paditurës, Shukrie Tërnava, ka deklaruar se ekspertizën për mbrojtje dhe siguri në punë e ka bazuar në fakte dhe argumente që i ka gjetur në vendin e ngjarjes, në prezencë të menaxherit të punëtorëve, menaxherit të sigurisë dhe në prani të paditësit.

Tutje, ai ka thënë se pas shqimit të formularit në të cilën janë shënuar mjetet që një punëtor i merr nga KEK-u, ka vërejtur që paditësit i janë dhënë vetëm këpucët, veshmbathja dhe helmeta, por jo edhe litari dhe brezi, të cilat kanë qenë të nevojshme për atë punë.

Gjithashtu, eksperti ka thënë se edhe paditësi ka qenë i obliguar që t’i kërkojë pajisjet që kanë qenë të nevojshme për punë.

Përfaqësuesja e KEK-ut, Tërnava, pas dëgjimit të ekspertit ka thënë se ka vërejtje në ndarjen  përgjegjësisë ndërmjet palëve ndërgjygjëse.

Ajo ka kërkuar nga gjykata që me rastin e vendosjes të mos ia fal besimin kësaj ekspertize.

Ndërsa, përfaqësuesi i paditësit, Blerim Syla, lidhur me ekspertizën për mbrojtje dhe siguri në punë, ka deklaruar se nuk ka vërejtje për faktin se ajo qartë dhe saktë ka përcaktuar rrjedhën e aksidentit dhe shkaqet e shkaktimit të tij.

Ai i ka propozuar gjykatës që të merret prova me ekspertizë mjekësore nga lëmi i ortopedisë dhe psikiatrisë, në mënyrë që sipas tij, të vlerësohet shkalla e lëndimeve që ka pësuar paditësi në ditën e aksidentit.

Propozimi i përfaqësuesit të paditësit për marrjen e provës me ekspertiza mjekësore nuk është kundërshtuar nga përfaqësuesja e të paditurës dhe është aprovuar nga gjykatësi i rastit, Enver Shabanaj.

Shabanaj, ka thënë se seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet pas marrjes së provës me ekspertiza mjekësore.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 16 janar 2012, pretendohet se në tetor të 2011, paditësi Afrim Muqiqi, gjatë orarit të punës në KEK, deri sa kishte qenë duke punuar në ndërtimin e skelës, përkatësisht duke vendosur dërrasën në të, kishte rrëshqitur dhe ishte rrëzuar.

Në padi thuhet se si pasojë e këtij aksidenti, paditësi kishte pësuar lëndime të rënda trupore, thyerje të këmbës së majtë, kishte përjetuar dhembje trupore, frikë, zvogëlim të aktivitetit të përgjithshëm jetësor, zvogëlim i aftësisë punuese.

Gjithashtu, në padi thuhet se si pasojë e këtij aksidenti, paditësi nuk kishte mundur të punojë një kohë, me çka ka pësuar edhe fitimin e humbur.

Prandaj, me anën e kësaj padie, paditësi po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet e paditura t’ia kompensojë dëmin material dhe jo material në shumë prej 4,900.00 euro dhe atë më kamatë ligjore prej 12 %.