Ekspertiza: Oksigjeni në Pallatin e Drejtësisë 11 herë nën nivelin e lejuar

Në këtë ekspertizë thuhet se ambienti brenda godinës që ka kushtuar mbi 25 milion euro, është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve.

Ekspertiza: Oksigjeni në Pallatin e Drejtësisë 11 herë nën nivelin e lejuar

 

Çdo ditë pune në Pallatin e Drejtësisë përbënë rrezik serioz për jetën e gjyqtarëve, prokurorëve e stafit përcjellës.

Një ekspertizë profesionale e autorizuar nga Prokuroria, ka konstatuar se oksigjeni në këtë ndërtesë është 11 herë nën normat e lejuara.

Në këtë ekspertizë thuhet se ambienti brenda godinës që ka kushtuar mbi 25 milion euro, është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve.

Gazeta online Insajderi ka zbuluar se ekspertiza i është dorëzuar para pak ditësh Prokurorisë së Shtetit e cila ka nisur hetimet në prill të vitit të kaluar për lëshimet e mundshme gjatë ndërtimit. Tenderin për këtë projekt që është më i madhi në Kosovë në fushën e drejtësisë e kishte fituar një kompani bullgare, e cila për nënkontraktor kishte zgjedhur kompaninë Hidroterm, pronë e ish-kryetarit të Suharekës, Blerim Kuçi.

“Ekspertiza e kryer i është dorëzuar Prokurorisë. Kopje të saj ka kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe prokurorë tjerë që po merren me rastin. Rezultatet e ekspertizës janë tepër shqetësuese”, ka thënë një burim.

Prokuroria ndërkohë po e mban të fshehtë këtë ekspertizë. Askush në Gjykatë nuk është i informuar për rezultatet e saj. Organi i akuzës ka refuzuar të flas për Insajderi.com për këtë raport me arsyetimin se rasti po hetohet. Rezultatet e saj nuk i ka mohuar.

“Ju informoj se Prokuroria nuk mund të jap përgjigje në këto pyetje, pasi që ky rast është në fazë hetimore”, ka thënë Prokuroria e Shtetit në një përgjigje me shkrim për Insajderin.

Gjatë gjithë kohës ka pasur telashe të mëdha shëndetësore për punëtorët e Pallatit të Drejtësisë. Dhjetëra zyrtarë janë alivanosur. Uji, shumë herë ka hyrë brenda objektit. Ashensorët janë bllokuar. Raftet janë rrëzuar duke lënduar rëndë zyrtarët.

Pallati i Drejtësisë nuk ka dritare. Oksigjeni brenda tij futet nëpërmjet sistemit të ventilimit.

Kjo situatë kishte shtyrë kryetarin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi që të kërkonte hetime penale.

Hetimet kanë nisur nga Prokuroria pas gjithë këtyre incidenteve të rënda që kanë rrezikuar jetët e njerëzve.

Për problemet në këtë goditë është interesuar Bashkimi Evropian si investitor. Muaj më parë përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka takuar ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, kreun e Prokurorisë së Shtetit, Aleksandër Lumezin dhe atë të Këshillit Gjyqësor, Enver Peci.

Në këtë takim ishte kërkuar adresimi i problemeve të paraqitura në Pallatin e Drejtësisë. Zyra e BE-së kishte kërkuar vlerësim të pavarur./Insajderi.com