Ekspertja rumune paralajmëron padi kundër Kolegjit Iliria

Ekspertja rumune paralajmëron padi kundër Kolegjit Iliria

Ekspertja rumune, Anca Prisacariu ka paralajmëruar padi ndaj Kolegjit Iliria pasi që këta të fundit e kanë konsideruar si të paaftë për pozitën që ka si eksperte e cilësisë së arsimit.

“Ne dyshojmë që është përdorur qëllimisht si Këshilli Shtetëror i Cilësisë për të tentuar të elimonijë disa universitete publike dhe kolegje private”, kanë thënë zyrtarë nga Kolegji Iliria.

Mirëpo, Anca Prisacariu në një përgjigje për “Kohavisionin” ka thënë që ajo është e aftë për të qenë eksperte për akreditim derisa ka paralajmëruar padi për shpifje.

“Nëse dikush do të më pyeste në cdo pikë do t’i ofroja CV time vetë, ku tregon se i plotësojë kushtet për ekspertë siç tregohet edhe në instruksionet administrative, kush do që e sheh CV time do të pajtohej se e paaftë nuk është një fjalë që përdoret për të më përshkruar mua, në këtë drejtim jam e vetëdijshme që shpifjet janë vepër civile e dënueshme në Kosovë”, ka thënë Prisacariu.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë tërhoqi akreditimin për Universitetin e Mitrovicës dhe dy universitete të tjera publike, ato Pejës dhe të Prizrenit, në një vendim të publikuar të hënën.

Këshilli i Cilësisë, që vepron në kuadër të Agjencisë së Akreditimit vendosi që në bazë të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, t’u tërhiqet akreditimi për vitin akademik 2019/2020, Universiteteve Publike; “Ukshin Hoti” në Prizren, “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe “Haxhi Zeka” në Pejë.

Sipas këtij vendimi, këto universitete nuk mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik, ndërsa vazhdon mësimi për studentët që tashmë janë në vitin e dytë dhe të tretë të studimeve. /Insajderi.com