fbpx

Ekstradohet në Maqedoni i dyshuari për terrorizëm

Gjykata Themelore në Gjakovë kishte lejuar ekstradimin e Bekir Bakijoviqit bazuar në Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar. Vendimin në fund për ekstradim e kishte marrë Ministria e Drejtësisë.

Ekstradohet në Maqedoni i dyshuari për terrorizëm

Kosova ka ekstraduar në Maqedoni një shqiptar të dyshuar për terrorizëm. Bekir Bakijoviq i është dorëzuar autoriteteve maqedonase në pikën kufitare në Han të Elezit, më 4 shkurt të këtij viti.

Ai kërkohej prej kohësh nga shteti maqedonas për ta nxjerr para drejtësisë me akuza të rënda që mund të rezultojnë me shumë vjet burgim. Dyshohet se kishte ndihmuar për kryerjen e një sulmi terrorist.

Bekir Bakijoviq, ka qëndruar në paraburgim në Kosovë që nga 18 shtator të vitit të kaluar.

Ekstradimin e ka konfirmuar drejtori për bashkëpunim ndërkombëtar në Policinë e Kosovës, Veton Elshani dhe avokati i tij, Lon Përlaska.

“Bazuar në vendimin e Gjykatës, ekstradimi është kryer më 4 shkurt”, ka thënë Elshani për gazetën Insajderi.

Gjykata Themelore në Gjakovë kishte lejuar ekstradimin e Bekir Bakijoviqit bazuar në Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar. Vendimin në fund për ekstradim e kishte marrë Ministria e Drejtësisë.

Avokati i tij, Lon Përlaskaj është ankuar se të ekstraduari i janë shkelur të drejtat themelore.

Sipas tij, nuk i është lejuar të ketë avokat. Ky fakt, për të, përbënë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

“Nga moslejimi i komunikimit me avokatin e tij, i pandehuri Bakijoviq tanimë i ekstraduar në Maqedoni, e ka humbur mundësin qe të hapë konflikt administrativ ndaj vendimit të Ministrit të Drejtësisë, ashtu siç e përcaktojnë dispozitat ligjore”, ka thënë avokati Përlaska për Insajderin.

“Ai nuk ka arritur qe t’i shter të gjitha mundësit ligjore për kundërshtimin e ekstradimit, e si rrjedhojë i është mohuar një nga të drejta themelorë të parapara me Kushtetutë të Republikës së Kosovës si dhe me dispozita ligjore, qe është e drejta për mbrojtje në procedura gjyqësore”.

Ai thotë se prej përgjigjeve që ka marrë nga Gjykata Themelore në Gjakove si dhe nga Drejtoria e Burgjeve të Kosovës, që janë thirrur në “mungesë kompetence” rezulton se Bakir Bakijoviq nuk është mbikëqyrur nga askush në kohen sa ka qenë në Kosovë, pra ka qenë “i burgosuri i askujt”.

Ndonëse, çështja e ekstradimit është punë e kryer, avokati Përlaskaj ka thënë se ka paraqitur kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Kosovës. Thotë se qëllimi i tij mbetet që nga Gjykata Supreme e Kosovës të konstatohet shkelja e të drejtave të njeriut e bërë nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

Javën e kaluar një shtetas kosovar i kapur më 200 kilogramë substanca narkotike është ekstraduar nga Belgjika në Kosovë. Sivjet, kanë ndodhur 6 ekstradime në Kosovë apo nga Kosova./Insajderi.com