Ekuadori goditet nga një tërmet i fuqishëm

Një tërmet shumë i fuqishëm prej 7.5 shkallë të Rihterit goditi Ekuadorin jugor në orët e hershme të së premtes. Tërmeti u regjistrua pranë kufirit me Perunë. Nuk ka raportime të menjëhershme për viktima të mundshme.

Ekuadori goditet nga një tërmet i fuqishëm

Tërmeti u ndje në kryeqytetin ekuadorian, Quito, dhe në qytetin bregdetar të Guayaquil.

Instituti zyrtar i Gjeofizikës i Perusë tha se regjistroi dy tronditje tjera me magnitudë 6 dhe 6.6 shkallë gjysmë ore pas tërmetit të parë.

Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, tha në llogarinë e tij zyrtare të Twitter se “raportet paraprake nuk tregojnë për dëme të mëdha”.

Një tërmet me magnitudë 7.8 shkallë të Rihterit, që tronditi një zonë qendrore të bregut të Ekuadorit më 16 prill 2016, vrau më shumë se 700 vetë, duke shkatërruar qindra ndërtesa si dhe duke i shkaktuar vendit humbje në më shumë se 3 miliardë dollarë.