Ekzekutohet vendimi që shkaktoi përplasje mes kryeministrit dhe vartësve të tij

Pavarësisht se vendimi për ndarjen e 290 mijë eurove për familjet e grupit Kumanova, kishte shkaktuar përplasje mes kryeministrit dhe vartësve të tij, ai tashmë është ekzekutuar nga Ministria e Financave.

Ekzekutohet vendimi që shkaktoi përplasje mes kryeministrit dhe vartësve të tij

Vendimi i kryeministrit, Ramush Haradinaj, i marre në fund të vitit të kaluar për ndarjen e 290 mijë eurove për familjarët e të dënuarve dhe të vrarëve në përleshjen e Kumanovës, tashmë është ekzekutuar.

Lajmin për pagesën e këtyre mjeteve ndaj 29 familjeve të këtij grupi, e ka konfirmuar për Insajderin, zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini.

“Duke u bazuar në Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.09/13 te datës 10.11.2017, janë ndarë mjete monetare në vlere prej 290,000.00€ për 29 familjarë proporcionalisht, sipas listës së dërguar nga Kryeministria”, thuhet në përgjigjen e Shahinit.

Sipas Shahinit, pagesa është bërë nga kategoria shpenzime të pa parashikuara.

“Në zbatim të vendimit, pagesa e këtyre mjeteve është bërë nga ndarja buxhetore Shpenzime të pa parashikuara, nga programi Subvencione, me datë 15.12.2017”, tha Shahini.

Qeveria Haradinaj e kishte marrë vendimin me arsyetimin për mbulimin e shpenzimeve të familjarëve të këtij grupi të cilët gjatë 9 dhe 10 majit u përleshën në Kumanovë.

Më 2 nëntor Gjykata në Shkup dënoi me 746 vjet burg të akuzuarit për përleshjet në Kumanovë gjatë të cilave u vranë tetë policë të Maqedonisë dhe 10 persona nga grupi i armatosur.

Kurse me 3 nëntor në Prishtinë ishte protestua kundër dënimit të tyre.

Para protestuesve doli kryeministri Haradinaj i cili, pastaj priti në takim familjarë të të dënuarve për përleshjen në Kumanovë. Disa ditë më vonë e mori vendimin për ndarjen e 290 mijë euove.

Por Haradinaj, u kritikua shumë për këtë vendim, madje u bë shkak i përplasje mes tij dhe vartësve të tij. Vet kryeministri e pati pranuar një gjë të tillë.

“E kom thirrë ministrin e Drejtësisë, a pe bon një propozim diqysh, tha po kqyri me vet qysh shkon, edhe i mshova vet prej zyrës së kryeministrit, shpejt e shpejt”, ka thënë Haradinaj.

“Në këto raste gjykimi i im është i shpejtë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa ministri Abelard Tahiri, kur ishte pyetur nga Gazeta Insajderi, nuk ka dashur të komentoj rreth këtij rasti.  /Insajderi.com