fbpx

Elmi Reçica mban sekret vlerën e vilës së tij

Shumica e zyrtarëve të lartë publik kanë kryer obligimin ligjor të deklarimit të pasurisë, duke treguar edhe vlerën në euro të patundshmërive. Por, ndryshe ka vepruar ish-deputeti i PDK-së, Elmi Reçica. Ai ka vendosur që ta mbajë sekret vlerën e patundshmërive.

Elmi Reçica mban sekret vlerën e vilës së tij

Elmi Reçica, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe ish-deputet i PDK-së, ka vendosur që të mos shpalosë për publikun detaje për vilën e tij, e cila ka një sipërfaqe prej 257 metrash katrorë.

Në deklarimin e pasurisë së Reçicës, të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) tregohet se ai është pronar i një vile, të cilën e ka përfituar në vitin 2016.

Po ashtu, tregohet edhe sipërfaqja e saj. Por, tek kolona ku duhet të tregohet për vlerën në euro të patundshmërisë, është shënuar vetëm zeroja.

Reçica ngjashëm ka vepruar edhe me patundshmëritë tjera. Nuk ka treguar se sa e ka vlerën në euro  edhe shtëpia prej 250 metrash katrorë, e përfituar në vitin 2005. Për këtë patundshmëri ka treguar se e ka trashëguar nga prindërit.

Tjetër patundshmëri e tij është një banesë prej 61 metrash katrorë, të cilën e ka blerë në vitin 2008. Vlerën e saj në euro nuk e ka treguar.

Bazuar në deklarimin e pasurisë së Reçicës, viti 2012 ka qenë shumë i leverdishëm për të. Ka përfituar gjithsej 11 ari truall. Ka treguar se pesë ari truall  i ka blerë, ndërsa gjashtë ari i ka trashëguar nga prindërit.

Përveç patundshmërive, Reçica ka deklaruar se posedon edhe një veturë ‘Passat’, të cilën e ka blerë në vitin 2005.

Po ashtu, ish-deputeti Reçica ka deklaruar se nuk posedon aksione në asnjë biznes.

Pjesë tjetër e pasurisë së ish-deputetit janë edhe 12 mijë e 800 euro që i mban në banka. Ai ka edhe obligimeve ndaj një banke private. Ka marrë një kredi prej 25 mijë eurosh me qëllim të rindërtimit të shtëpisë.

Po ashtu, ish-deputeti i PDK-së ka treguar se të ardhurat e tij vjetore kalojnë shumën prej 23 mijë eurosh në vit. Pagat dhe kompensimet vjetore kapin vlerën e 22 mijë e 501 eurove ndërsa 1 mijë e 571 euro tjera i ka përfituar nëpërmjet mëditjeve për udhëtim./Insajderi.com