Me interpretime të shkathëta të sonatave të Mozartit, jehonë copëzash të kompozitorit kroat Marko Ruzhdjak, motive nga kompozitori çek Antonin Dvořák, këngë popullore shqiptare" />

“Elogio” vë në telat e kitarës Mozartin dhe këngët shqiptare

“Elogio” vë në telat e kitarës Mozartin dhe këngët shqiptare

Me interpretime të shkathëta të sonatave të Mozartit, jehonë copëzash të kompozitorit kroat Marko Ruzhdjak, motive nga kompozitori çek Antonin Dvořák, këngë popullore shqiptare të përpunuara nga Rafet Rudi dhe shkëputje të tjera nga repertori i spanjollit Manuel de Falla, treshja kitariste “Elogio” mori duartrokitje të gjata e të përzemërta nga publiku prishtinas në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Me performancën e kitaristëve Petrit Çeku, Pedro Ribeiro Rodrigues dhe Tomislav Vukshiq, të premten festivali ReMusica hapi edicionin e tij të 18-të.

Në fjalën e saj hyrëse, drejtoresha e festivalit Donika Rudi njoftoi për agjendën e festivalit dhe risitë që do të ketë sivjet.

“Na presin ditë me shumë koncerte e aktivitete përcjellëse”, ka thënë ajo, teksa ka shprehur falënderime për të gjithë bashkëpunëtorët që mundësuan organizimin e festivalit.

Producenti i festivalit Viktor Berisha përmendi punën e kompozitorit Rafet Rudi, që, sipas tij, “para 18 vjetësh me një grusht njerëzish nisi një punë të madhe”.

“Ne patëm një udhëtim të vështirë si organizatorë të këtij festivali për 18 vjet me radhë. Kemi pasur pasion të madh dhe dashuri, duke filluar nga misioni i Rafet Rudit, që 18 vjet guxoi të bënte diçka. Por sot të guxosh është të çosh zërin kundër çdo padrejtësie”, ka thënë Berisha në hapje të edicionit që për moto ka thirrjen “Guxo të dashurosh”.

Virtozi Çeku është mik i kahershëm i “ReMusicas”. Kësaj radhe i është rikthyer me trion “Elogio” që po bën emër në botë dhe sivjet shënon dekadën e themelimit. Një turne nëpër vende të ndryshme të botës ka në agjendë, e Kosova është pikënisja.

Pas koncertit Çeku ka thënë se performanca në Prishtinë është edhe një mirënjohje për festivalin ‘ReMusica’, që atij ia mundësoi të njihej me botën e muzikës.

Edhe muzikanti i njohur nga Prishtina, Genc Salihu, ka vlerësuar paraqitjen e treshes kitariste, duke veçuar interpretimin e Çekut.