Ende nuk dihet fati i votave që erdhën me vonesë nga diaspora

Ende nuk dihet fati i votave që erdhën me vonesë nga diaspora

Shërbimi i votuesve që është në kuadër të Komisionit Qendror Zgjedhor, ende nuk ka marrë asnjë vendim për 4000 mijë zarfet me vota nga diaspora, që kanë ardhur me vonesë në këtë institucion.

Kryetarja e KQZ-së dhe përfaqësues i PDK-së, thonë se duhet të respektohet ligji, që nënkupton të mos pranohen këto vota. Ndërsa mandatari për kryeministër, Albin Kurti thekson se gjitha votat e mërgatës duhet të pranohen, pasi sipas tij, nuk është faji i tyre nëse vonohet posta.

Kurti: Nuk është faji i mërgatës sonë pse vonohet posta

“Nuk është faji i mërgatës sonë pse vonohet posta. Vullneti i atyre njerëzve që ikën nga Kosova qoftë për shkak të mjerimit social, qoftë për shkak të diskriminimit politik është e dëmshme që tash mos të lejohet të dëgjohet zëri i tyre. Ata e mbajnë vendin me remitenca. Tash ne t’iu a dëbojmë votën nuk mendoj që është mënyrë e duhur edhe e drejt”, pohon Kurti.

Për dallim nga Kurti, shefja e KQZ-së, Valdete Daka thotë se ende janë në pritje të Shërbimit të Votuesve, për të vendosur se a janë të rregullta këto vota apo jo.

Daka: Shërbimi i votuesve e vlerëson ligjshmërinë e votave të ardhura nga diaspora

“KQZ nuk do të merr vendim për ato vota, sepse shërbimi i votuesve është ai që e vlerëson ligjshmërinë e votave të ardhura nga diaspora”, thotë Daka.

Ndërkaq, përfaqësuesi i PDK-së në KQZ-së, Ilir Gashi thotë se nuk duhet të merret ndonjë vendim që bie në kundërshtim me dispozitat ligjore, pavarësisht dëshirave politike.

Sipas tij, ligji e thotë qartë se çdo votë nga jashtë shteti duhet të jenë në Kosovë 24 orë para ditës së zgjedhjeve.

Gashi: Duhet t’i respektojmë ligjet pavarësisht dëshirave politike

“Unë kam personalisht familjar që jetojnë jashtë vendin, kam shtetas, vëllaun në Zvicër, tjetrin në Gjermani dhe mund të ndodhë dhe votat e tyre janë në kontingjentin e katër mijë pakove që kanë ardhur, kështu ne nuk mund të paragjykojmë se në favor të kujt janë, sepse janë pako të mbyllura. Por ne jemi të thirrur t’i respektojmë vetëm ligjet në fuqi, pavarësisht dëshirave të liderëve politik apo partive politike. Njësia përkatëse e vlerëson, ajo është e thirrur për të pranuar ose mospranuar pakot që vijnë nëse janë në harmoni me ligjin ose jo”, deklaron Gashi.

Këto vota të mërgatës, janë dërguar me 19,20 dhe 21 shtator, por për shkak të disa problemeve teknike, ato kanë ardhur jashtë afatit kohor që është i paraparë deri më 5 tetor.