Mesfushori i përfaqësueses së Kosovës, Enis Alushi, mund të mbetet pa skuadër për shkak të pranisë në fushën e lojës në takimin kundër Turqisë.
Klubi i Nuremberg i kishte kërkuar futbollistit që të mos luante, dhe as të mos udhëtonte për t’iu bashkuar grumbullimit me Kosovën, duke pasur parasysh se ai vinte nga një dëmtim i gjatë.
Por Alushi, në bashkëpunim me stafin e Kosovës, kanë injoruar këtë kërkesë dhe ai luajti të 90 minutat ndaj Turqisë, vendim i cili nuk është pëlqyer nga drejtuesit e klubit të tij.
“Nuk ka çfarë të na shpjegojë. Ai e dinte qëndrimin tonë e megjithatë iku”, tha drejtori sportiv i Nurembergut, Andreas Borneman.
“Me respektin më të madh ndaj krenarisë kombëtare, ai duhet të mësohet të jetojë edhe me pasojat e mundshme. Do të ulemi bashkë me menaxherin e tij dhe do të diskutojmë për të ardhmen”, tha ai, duke lënë të kuptohet se Alushin e prisnin masa drastike nga klubi i Bundesligës 2. /Insajderi.com