Enver Hoxha ekspozon krimet e luftës në Kosovë përmes fotografive

Enver Hoxha ekspozon krimet e luftës në Kosovë përmes fotografive

Ka mjaft dëshmi për krimet e kryera në Kosovë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit. Ka fotografi të cilat pasqyrojnë qartë tmerrin që përjetuan shqiptarët në vitet 98-99.

Disa prej tyre i ruan Enver Hoxha, që shërbeu si mjek gjatë luftës në Kosovë. Ai mjekoi ushtarë e civil. E një pjesë të këtyre materialeve ai do t’i paraqesë nëpërmjet një eksopozite të quajtur “Gjenocidi XX: Ta kujtojmë të kaluarën, të ndërtojmë të ardhmen”.

Meqë kanë kaluar dy dekada prej luftës së fundit në Kosovë, Enver Hoxha, i cili shërbeu si mjek në Zonën Operative të Llapit,  këmbëngul që të mos harrohet gjenocidi serb i kryer në Kosovë.

Fotografitë të cilat janë realizuar në Shalë, Llap e Gollak, dëshmojnë krimet që janë bërë ndaj popullatës civile.

“Qëllimi i kësaj ekspozite është me pasqyru gjenocidin në Kosovë, i cili është bërë në një pjesë të Kosovës me një material i cili është i pabotuar. Në kuadër të 20 vjetorit të çlirimit e kam parë të arsyeshme që vlen të ritheksohet edhe në mendjen të gjeneratave, por edhe institucioneve si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare me u marrë më seriozisht me shkaktarin e këtij gjenocidi, i cili në vazhdimësi ka qenë i pandëshkueshëm”, thotë ai për KosovaPress.

Enver Hoxha këto materiale i ruan qe 20 vjet, ku janë shkrepur pamje që nga zhvendosja dhe dëbimi i shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, djegia, e deri te masakrimi i popullatës.

“Fatbardhësisht i kam ruajtur edhe koleksioni i fotografive i përmbledh në tri kaptina. Atë pjesën ushtarake, pjesën e pacientëve, spitalit ushtarak edhe pjesën e popullatës. Por, kësaj radhe do e pasqyroj vetëm atë pjesën e popullatës, konkretisht gjenocidin e popullit tonë që është bërë në kohën e atëhershme”.

“Që realisht edhe pushtetarët e atëhershëm serb në media e kanë quajtur si qytetarë të ish-Jugosllavisë, e në terren të njëjtit qytetarë i kanë masakruar. Gjë që edhe sot Serbia e bën, e ka preambulë prapë Kosovën, por çdo gjë e bën që të na asgjësoj”

Në ekspozitën e cila do të hapet të martën në orën 16:00, janë të përmbledhura mbi 100 fotografi, të cilat pasqyrojnë gjendjen e atëhershme të Zonës së Llapit, ku Enver Hoxha aso kohe së bashku me shokët e tij kishin organizuar sistemin shëndetësor, duke trajtuar të plagosurit.

Hoxha thotë se nuk duhet të përbuzet e kaluara, e as ajo që kanë përjetuar popullata civile.

“Kjo tregon një realitet. Dy “XX”, pasqyrojnë 20 vjetorin, po e pasqyrojnë edhe shekullin e XX, që gjatë gjithë këtij shekulli ka pasur gjenocid mbi popullin shqiptarë. Edhe e treta është që jo dy “XX”, por edhe shumë të tjerë, që kurrë nuk u gjykua gjenocidi mbi popullin shqiptarë”, tregon ai.

Ekspozita do të zgjas pesë ditë dhe do të jetë e hapur për të gjithë. Fotografitë janë realizuar gjate vitit 1999.