Erdogan: Luftëtarët kurdë ta braktisin verilindjen e Sirisë deri sonte

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka thënë se luftëtarët e kurdëve sirianë duhet ta braktisin zonën kufitare në verilindje të Sirisë deri sonte në mënyrë që Turqia ta ndalë ofensivën ushtarake.

Erdogan: Luftëtarët kurdë ta braktisin verilindjen e Sirisë deri sonte

Erdogan këtë ka thënë në Parlament, në vazhdën e presioneve ndaj tij, që ta ndalë ofensivën në Siri e cila sot ka hyrë në ditën e tetë, transmeton AP.

Erdogan ka thënë qartë se Turqia nuk do të lëshojë pe nën presione dhe se do të vazhdojë me operacionin ushtarak derisa forcat turke nuk hyjnë brenda Sirisë për 30 deri 35 kilometra.

Ai gjithashtu i ka bërë thirrje botës ta përkrahë luftën e Turqisë kundër luftëtarëve kurdë në Siri, të cilët i konsideron “terroristë” për shkak të lidhjes me kryengritjen e kurdëve brenda Turqisë.

Qëllimi i ofensivës turke është krijimi i “zonës së sigurisë” me gjerësi prej rreth 30 kilometra përgjatë kufirit, në mënyrë që Turqia të ndahet nga zona në Siri e cila është nën kontroll të forcave kurde.

“Propozimi ynë është që menjëherë, sonte, të gjithë terroristët t’i dorëzojnë armët dhe pajisjet, t’i shkatërrojnë të gjitha fortesat e tyre dhe të tërhiqen nga zona e sigurisë të cilën e kemi caktuar”, ka thënë Erdogan, transmeton France Press./Insajderi.com.