Erdogani blen raketa nga Rusia: Në dashtë Zoti, fillojmë muajin e ardhshëm

Erdogani blen raketa nga Rusia: Në dashtë Zoti, fillojmë muajin e ardhshëm

Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë pajisjen e Turqisë me aeroplanët luftarakë F-35 nëse Ankaraja do të vazhdojë me blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore.

ShBA-të i kanë bërë thirrje Turqisë që të mos instalojë sistemin rus, pasi ai ka kapacitet të identifikojë aeroplanët amerikanë, të cilët janë të ndërtuar për të shmangur ndjekjen nga radarët e armikut dhe sensorët e nxehtësisë. Megjithatë, presidenti turk nuk është tunduar nga ky paralajmërim.

“Nuk kemi përse t’i marrim leje askujt për t’i përmbushur nevojat tona të sigurisë”- tha Recep Tayyip Erdogan, për blerjen e sistemit rus S-400.

“Për të përmbushur nevojat e saj të sigurisë, Turqia nuk ka përse të negociojë me asnjë vend, nuk ka përse të marrë leje dhe as të thyhet para presionit. Në dashtë Zoti, dislokimi i S-400 do të fillojë muajin e ardhshëm”, tha në fjalën e tij Erdogan.

Por kjo, sipas ShBA-ve do të ketë pasoja. Turqia është pjesë e vendeve që po angazhohen në prodhimin e aeroplanëve amerikanë F-35. Mirëpo, deri më tani, zyrtarët turq kanë refuzuar të heqin dorë nga blerja e sistemit mbrojtës raketor nga Rusia e Vladimir Putinit, duke thënë se do t’i bëjnë ballë edhe sanksioneve amerikane të cilat janë paralajmëruar nga zyrtarët e SHBA-së.