Erdogani dhe antipatia për Internetin

Erdogani dhe antipatia për Internetin

Edhe në kohët më të mira, qeveria e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me internetin.

Ankaraja vazhdimisht është përpjekur të kufizojë portalet e lajmeve dhe mediat sociale, si YouTube dhe Twitter gjatë periudhave të tensionit politik, apo thjesht për të bllokuar informacionin, kur mendon se ai është me përmbajtje fyese.

Tradicionalisht, bllokimet nuk zgjasin shumë dhe nuk kanë ndonjë efekt, pasi shumë njerëz në Turqi përdorin mjete të tilla si DNS ose Tor për të shmangur kufizimet.

Por pas ngjarjeve të fundit, si sulmi në klubin e natës Reina të Stambollit vrasja e ambasadorit rus Andrey Karlov, apo përpjekja për grusht shteti në korrik nga një fraksion i ushtrisë, qëndrimi i qeverisë së Erdoganit ndaj internetit është ashpërsuar në mënyrë të përhershme.

Analistët dhe organizatat e shoqërisë civile thonë se administrata e Erdoganit ka filluar të veprojë në mënyrë agresive për të kufizuar internetin si dhe aksesin e telefonisë celulare në internet. Për herë të parë, ajo nuk po shfaq shenja tërheqjeje.

Antipatia e zotit Erdogan ndaj internetit dhe mediave sociale nuk është e re.

“Tani ekziston një murtajë që quhet Twitter,” tha ai në një tubim të vitit 2013. “Për mua, media sociale është kërcënimi më i rëndë për shoqërinë!”

Zoti Erdogan e ka quajtur Facebookun “imoral”. Për të, YouTube është “një forcë gllabëruese”. Ndërkaq, ai ka premtuar se do ta “zhdukë” Twitterin.

“Strategjia e Erdoganit është të demonizojë mediat sociale”, thotë Zeynep Tufekçi, studiese e ligjit kibernetik në Universitetin e Karolinës së Veriut. “Kjo është një strategji e nxjerrjes së mediave sociale jashtë sferës së shenjtë, si përçarje e familjes, si kërcënim për unitetin dhe si një mjet i huaj që prish strukturën e shoqërisë,” thotë studiuesja.

Departamenti amerikan i Shtetit ka mbajtur qëndrim kritik ndaj përpjekjeve të reja të autoriteteve turke për të bllokuar faqe të caktuara interneti apo disa portale dhe media sociale, duke i quajtur veprime të tilla si një cenim të fjalës së lirë.

Dhe në fakt, në të kaluarën, kufizime të tilla kanë qenë zakonisht jetëshkurtër, duke krijuar vetëm bllokime të përkohshme./VOa