Erdogani mbeti duke e pritur Putinin para takimit

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mbeti duke pritur presidentin rus Vladimir Putin dhe delegacionin e tij para një takimi, shihet në një video të shfaqur nga mediat ruse.

Erdogani mbeti duke e pritur Putinin para takimit

Në video, Erdogan dhe delegacioni i tij shihen duke pritur rreth dy minuta para se të fillojë takimi. Erdogani shfaqet se si qëndron në këmbë dhe në fund ulet para se të futet në dhomë ku shtrëngojnë duart me Putinin.

Në Moskë, liderët e shteteve të Rusisë dhe Turqisë u takuan javën e kaluar për t’i zbutur tensionet për përfshirjen e vendeve në Siri, ku u arrit marrëveshja për armëpushim në Idlib, bastioni i fundit i opozitës Siriane.

Marrëveshja përfshin, në mes tjerash, një korridor të gjerë 11 km përgjatë autostradës M4 që përshkon provincën Idlib në lindje drejt kufirit me Irakun që do të patrullohet së bashku nga trupat ruse dhe turke, duke filluar nga 15 marsi.

Pas vrasjes së 33 ushtarëve turq, të cilët mbështesin forcat opozitare në Siri, më 28 shkurt në një sulm ajror nga forcat e qeverisë siriane, të mbështetur nga fuqia ajrore ruse, të dy palët vendosën të takohen. Më 1 mars, forcat turke rrëzuan dy aeroplanë luftarakë sirianë në veri-perëndim të Sirisë.

Rusia dhe Turqia kanë qenë në mosmarrëveshje në luftën siriane që kur Putini filloi të mbështesë forcat qeveritare pesë vjet më parë.

Luftimet në Idlib kanë qenë tendosja më e madhe në marrëdhëniet turko-ruse që nga kriza e shkaktuar nga rrëzimi i një aeroplani luftarak rus në nëntor 2015. Si rezultat, Rusia vendosi sanksione ekonomike pasi shkurtoi fluksin e turistëve të saj në Turqi dhe ndaloi shumicën e eksporteve turke në atë kohë. Turqia përfundimisht u detyrua të kërkojë falje./Insajderi.com.