fbpx

Veseli premton ta bëjë Kosovën si Gremen, por banorët ankohen për mungesë uji dhe rryme

Veseli premton ta bëjë Kosovën si Gremen, por banorët ankohen për mungesë uji dhe rryme

Kryetari i partisë që për një dekadë ka udhëhequr me vendin, ka nisur një seri vizitash tek bizneset e ndryshme nëpër Kosovë duke ndjekur kështu formën e fushatës “Misioni i Ri” të paraardhësit të tij, Hashim Thaçit, por Veseli është përballur me halle të vjetra të qytetarëve.

Veseli të premten lajmëroi atë që quajti “turneun e tij të dëgjimit” që i paraprinë formimit të platformës së tij në rrugën për t’u bërë kryeministër i vendit.

“Para së gjithash, vetëm duke dëgjuar njerëzit – të gjithë njerëzit në mbarë vendin – do të mund të krijojmë një platformë, të marrim masa veprimi, ta çojmë Kosovën përpara”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Por në një nga vizitat e tij të para të këtij turneu, në fshatin Greme të Ferizajt, i cili ka mbi 50 biznese prodhuese në industrinë e përpunimit të drurit, problemet janë bazike.

Madje sipas pronarëve të këtyre bizneseve të vogla në Greme nevojat janë elementare.

“Infrastruktura është zero, rryma është zero, ujë s’ka hiq”, thotë një nga prodhuesit e drurit në videon promovuese të Veselit.

[arve url=”https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fkadriveseliofficial%2Fvideos%2F735101063331769%2F&show_text=0&width=560″/]

Këto nevoja shkojnë ndesh me ato që Qeveria e udhëhequr nga vet Hashim Thaçi paraardhësi i Veselit në postin e PDK-së, dhe të dhënat e ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që trumbetojnë zhvillim dhe përforcim të kësaj industrie.

Madje Thaçi kur kishte vizituar këtë përpunues të drurit në vitin 2014 gjatë “turneut të Misionit të Ri”, kishte premtues se me krijimin e “Fondit të Punësimit” që nuk është krijuar kurrë në Qeverinë të cilën e udhëheqin koalicioni PDK-LDK,”çdokush që siguron dhe garanton se do të hap vende të reja të punës, do të mund të aplikoj dhe do të mund të jetë përfitues”.

“Ju që keni krijuar nga 50 vende të punës apo edhe më tepër, jam i sigurt se do të mundeni të dyfishoni menjëherë”, thoshte atëherë Thaçi.

Por tri vite pas, përpos mungesave themelore të këtyre bizneseve të vogla, ato kanë edhe probleme të tjera, të cilat Veselit ia kanë thënë në takimin që ka pasur në Greme.

“Na pagujna si biznese, dy tri herë më shumë se amvisëria”, i ankohet një nga përpunuesit.

Një tjetër ankohet se “shumë nga këto biznese nuk kanë mundësi që në mënyra vetanake të promovojnë atë që e bëjnë”.

Por Veseli megjithatë e sheh Gremen si një storie suksesi.

Ai madje u ka thënë përpunuesve të drurit, të cilët në video thonë se nuk kanë as ujë e as rrymë, se Kosova do të bëhet si fshati i tyre.

“Në qoftë se arrijmë me bo Kosovën si Gremen asgjë më shumë nuk na duhet”, u ka thënë Veseli atyre.

Gjatë këtij turneu Veseli ka paralajmëruar se do të përgatisë “planin për të çuar Kosovën përpara”, por në Greme problemet që duhet të zgjidhen janë krejtësisht elementare./Insajderi.com