Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re (AKR), Vesel Makolli ka thënë sot se është “absurde” nëse kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje pa e njoftuar AKR-në.
Në një prononcim për Periskopi, Makolli u shpreh se nuk ka informatë zyrtare për kalimin e Bahtirit në Vetëvendosje, siç u raportua sot në media.
“Nuk kemi asnjë informtarë për aderimin e Agim Bahtirit. Kështu që zyrtarisht nuk kemi asnjë informatë, normal se njeriu duhet të lajmëroj në parti për çdo lëvizje të mundshme, nëse është e vërtetë atëherë është nonsense, absurd”, ka deklaruar Makolli.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahiri, të premten do të aderojë zyrtarisht në Vetëvendosje, ka thënë sot gazetari i RTV Dukagjinit, Arben Ahmeti.
Pas zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor më 2017, Bahtiri, ndonëse përfaqësonte Aleancën Kosova e Re, kishte deklaruar se “kandidati më i mirë për kryeministër është Albin Kurti”. Këtë deklaratë e kishte dhënë para arritjes së koalicionit mes AKR-së dhe PAN-it.
Para pak muajve, Bahtiri dhe Kurti kishin qenë pjesë e një debati me qytetarë në Mitrovicë.
Gazeta Insajderi ka tentuar të kontaktojë me kryetarin e Mitrovicës, por kontakti me të përmes telefonit ka qenë i paarritshëm. /Insajderi.com