Protestuesit ballafaqohen me policinë

Eskalon protesta në Serbi pas shpalljes së shtetrrethimit nga Vuçiq

Një paralajmërim i presidentit serb në orët e vona se e ka ndërmend t’i bëjë masat më rigoroze për shkak të COVID-19, ka mjaftuar për qytetarët serbë për të dalur në protestë. Protestë që u tentua të shuhet nga policia, por që u kthye në një event të dhunshëm.

Eskalon protesta në Serbi pas shpalljes së shtetrrethimit nga Vuçiq

Ka eskaluar protesta në Beograd, e cila filloi menjëherë pas shpalljes së masave të reja të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili njoftoi edhe shtetrrethim nga e premtja, në mënyrë që të ndalohet përhapja e COVID-19, njofton Insajderi.

Fillimisht protestuesit u mblodhën rreth parlamentit të Serbisë, duke brohoritur në shenjë proteste dhe duke ndezur pishtarë.

Më pas policia ka ndërhyrë për ta shpërndarë turmën dhe ka filluar ballafaqimi në mes të protestuesve e policisë.

Policia ka hyrë në mes të protestuesve me kamionë e topa uji duke provuar shpërndarjen e cila kishte sukses vetëm përkohësisht.

Policia më pas ka përdorur edhe gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën.

Turma është shpërndarë, por vetëm pas pak minutash është rigrupuar dhe është kthyer tek kuvendi serb.

Protestuesit kanë hedhur gurë, shishe të qelqta dhe mjete të forta në drejtim të policisë.

Gjithashtu ka filluar edhe thyerja e shenjave të trafikut para kuvendit serb.

Protestën nuk e ka organizuar zyrtarisht opozita serbe, por e ka përkrahur atë, duke e bërë qeverinë fajtore për vdekjet e shumta që ndodhën në Serbi nga COVID-19 vetëm në ditën e fundit.

Kjo pakënaqësi qytetare me pushtetin, vjen vetëm pak ditë pas fitores bindëse që Vuçiq pati në zgjedhjet e fundit./Insajderi.com

Image

Image