EULEX: Gjyqtari Simmons është nën hetime

EULEX: Gjyqtari Simmons është nën hetime

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit EULEX, përmes një njoftimi për media ka komentuar deklaratat për korrupsion brenda misionit të gjykatësit Malcolm Simmons.

Sipas EULEX gjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij.

“Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord Disiplinor dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij Bordi. Të tjerat janë në vijim e sipër”, thuhet në njoftim.

BE-ja dhe EULEX-i zbatojnë politikë të zero-tolerancës për sjellje të papërshtatshme dhe keq bërje, ndërsa të gjithë pjesëtarët e Misionit janë përgjegjës për veprimet e tyre.

“Prandaj, të gjitha pretendimet e paraqitura së fundmi nga z. Simmons janë trajtuar me seriozitetin e njëjtë dhe, po ashtu, kanë rezultuar me hetime që janë në proces dhe duke u zhvilluar në të njëjtën mënyrë sikur edhe ato kundër tij, do të thotë në përputhje me kornizën e aplikueshme, Kodin e Sjelljes dhe Disiplinës për Misionet civile të PPSM të miratuara nga Këshilli në qershor 2016. Nga z. Simmons është kërkuar që t’i paraqesë të gjitha provat që i posedon në mbështetje të pretendimeve të tij, por – për fat të keq – ai këtë nuk e ka bërë ende”, thuhet më tej në njoftimin e EULEX.

Më tej në komunikatë thuhet se EULEX-i nuk e paragjykon epilogun e hetimeve të tanishme dhe i mirëpret përfundimet e tyre të cilat përshtatshmërish do të bëhen publike.