EULEX vazhdon të qëndrojë në shtëpinë e Krasniqit në Negroc

EULEX vazhdon të qëndrojë në shtëpinë e Krasniqit në Negroc

Pjesëtarët e EULEX dhe ata të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë shtëpisë së ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fshatin Negroc, njofton Insajderi.

Ashtu sikuse shtëpia e tij në Velani të Prishtinës, edhe ajo në Negrovc është bastisur.

Këtë e ka konfirmuar avokati i Krasniqit, Valon Hasani.

Ndërsa vëllai i ish-zëdhënësit të UÇK-së, i cili ndan pothuajse të njëjtin oborr me shtëpinë e Jakup Krasniqit, ka thënë për KP se ka parë që pjesëtarët e EULEX-it gjatë gjithë kësaj kohe kanë qëndruar në oborr, sipas tij në pritje të ndonjë urdhri për të nisur bastisjen.

Ai tha se nuk kanë kontaktuar me Jakup Krasniqin, veçse janë në dijeni se tashmë ai është nisur për në Hagë.

“Këtu nuk ka pasur bastisje, pjesëtarët e EULEX-it kanë qëndruar terë kohën në oborr, edhe unë këtu në oborr jam. Nuk e di çka do të ndodhë më tutje. Me Jakupin nuk kemi folur por e kemi pa në media që e kanë nisë për në Hagë”, tha Halim Krasniqi. /Insajderi.com