Evropa premton 650 mijë vaksina “Pfizer” për Ballkanin

Evropa premton 650 mijë vaksina “Pfizer” për Ballkanin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përsëritur premtimin se Evropa do t’i ndihmojë Ballkanit Perëndimor me vaksinimin anti-COVID. Nëpërmjet bisedave telefonike me liderët e Ballkanit, ajo ka njoftuar se 650 mijë doza të vaksinës së “Pfizerit” do të dorëzohen në gjysmën e dytë të muajit prill në shtetet e Ballkanit, njofton Insajderi.

Nëpërmjet Twitterit ajo ka konfirmuar bisedat telefonike me liderët e Bosnjës, Shqipërisë dhe të Malit të Zi. Në të tria postimet ka njoftuar se “Evropa do të qëndrojë pranë partnerëve në Ballkanin Perëndimor”.

“Diskutova me Edi Ramën për shpërndarjen e vaksinave në Shqipëri, financuar nga Komisioni Evropian, për të vaksinuar sa më shpejt punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe njerëzit në nevojë. Së bashku do ta kapërcejmë pandeminë”, ka thënë ajo për bisedën me kryeministrin e Shqipërisë.

Ndërsa kryeministri Rama ka thënë se shumë shpejt 651 mijë vaksina të “Pfizerit” do të vijnë në rajon. Të njëjtën e kanë thënë edhe liderët e Bosnjës dhe të Malit të Zi.

Von der Leyen s’ka bërë ndonjë postim lidhur me Kosovën.

Evropa ka kohë që ka shprehur premtimin se do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor me vaksina. Megjithatë, ende një gjë e tillë s’ka ndodhur.

Kosova mbetet ndër vendet e pakta të botës në të cilat ende s’ka nisur vaksinimi kundër Coronavirusit./Insajderi.com