Facebook dhe Twitter ua fshijnë postimet liderëve botërorë shkaku i lajmeve të rreme

Facebook dhe Twitter ua fshijnë postimet liderëve botërorë shkaku i lajmeve të rreme

Rrjetet e famshme sociale, Facebook dhe Twitter, ua kanë fshirë postimet disa liderëve botërorë për shkak të përhapjes së informatave të rreme për koronavirusin.

Facebook ia ka fshirë një video presidentit të Brazilit, Jair Bolsonaro, në të cilën thuhej se hidroksiklorokina është tërësisht efektive për trajtimin e koronavirusit.

Ky politikan vazhdimisht e ka nënvlerësuar rrezikun nga virusi dhe ka bërë thirrje që qytetarët t’i injorojnë këshillat e mjekëve për distancim social.

Twitter ia ka fshirë një postim presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, në lidhje me një trajtim shtëpiak të koronavirusit, shkruan BBC.

Të dyja këto rrjete sociale rrallë ndërhyjnë në postimet e liderëve botërorë, edhe në rastet kur ato përmbajnë të dhëna të pavërteta.

Megjithatë, ato janë nën presion për t’i luftuar lajmet e rreme që po përhapen rreth koronavirusit, duke i shtyrë që t’i forcojnë rregullat dhe të zotohen për luftë më të ashpër ndaj dezinformatave.