Fakulteti Juridik në telashe me nepotizmin – kërkon sqarim nga Rektorati

Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës është në telashe me nepotizëm. Për shkak se aty kanë aplikuar shumë kandidatë me lidhje të ndryshme familjarë, dekani i këtij fakulteti i është drejtuar Rektoratit për sqarim. Kjo ka bërë që shumë anëtarë të Komisioneve Vlerësuese të heqin dorë për shkak të frikës nga konflikti i interesit.

Fakulteti Juridik në telashe me nepotizmin – kërkon sqarim nga Rektorati

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinë “Hasan Prishtina”, Haxhi Gashi, ia ka dërguar një shkresë rektorit, Marjan Dema të cilit i ka kërkuar sqarim lidhur me konkursin e fundit për staf akademik në Fakultetin Juridik.

Në shkresën të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, kërkohet sqarim për konkursin e shpallur më datën 27 prill 2018. Në këtë konkurs dekani thotë se kanë konkurruar shumë kandidatë me lidhje të ndryshme familjare.

“Me këtë shkresë ju njoftojmë lidhur me procedimin e konkursit për stafin akademik të shpallur më datë 27.04.2018. Në këtë konkurs kanë konkurruar shumë kandidatë me lidhje të ndryshme familjare dhe lidhje tjera shoqërore kolegjiale në Fakultet. Konkursi është publik dhe nuk mund të ndalojmë asnjë kandidat që të konkurrojë”, thuhet në shkresën drejtuar rektorit Marjan Dema më 29 maj të këtij viti.

Insajderi ka kontaktuar me dekanin Gashi, si iniciator i kësaj shkrese. Ai ka thënë se i është drejtuar Rektoratit për sqarime, pasi po kanë probleme me konkursin.

“Edhe ne e kemi një paqartësi ligjor lidhur me rrethin e personave që mund të aplikojnë dhe pranohen, dhe për këtë ju kemi drejtuar Rektoratit me një shkresë, sepse ka paqartësi lidhur me dispozitat ligjore, rregulloren për zgjedhje dhe avancime dhe disa akteve tjera ligjore”, ka thënë Gashi për Insajderin.

Lidhur me këtë çështje Insajderi ka kërkuar sqarim edhe nga Rektorati, mirëpo edhe pas tetë ditësh nuk ka kthyer përgjigje.

Mirëpo, dekani Gashi ka edhe paqartësi tjera. Nga Rektorati ka kërkuar interpretimin nëse Rregullorja dhe Udhëzuesi i Këshillit të Etikës e ndalon pranimin e familjarëve vetëm brenda departamenteve apo edhe në tërë Fakultetin.

“Në rregullore ka paqartësi për faktin se a ndalon me Rregullore zgjedhjen e anëtarëve me lidhje familjare vetëm brenda Departamentit duke pasur parasysh specifikat e fakulteteve apo e përfshinë në tërësi fakultetin”, shkruan më tej Gashi në shkresën e tij.

Rektori Gashi ka kërkuar nga rektori Demaj një rregullore që saktëson qartë lidhjet familjare dhe lidhjet tjera me fokus sqarimin e ndalimit apo jo të zgjedhjes në Fakultet të këtyre kandidatëve.

Megjithatë, dekani Gashi ka thënë se konkursi është i hapur për të gjithë.

“Konkursi është i hapur për të gjithë dhe secili ka të drejtë të aplikojë. Ndërsa ne nuk jemi në pozitë të ndalojmë aplikimin”, ka shtuar ai për Insajderin.

Ndër tjera, në shkresë theksohet se për shkaqe të ndikimit dhe konflikt interesit shumë anëtarë të Komisionit Vlerësues janë duke dhënë dorëheqje.

“Në Fakultetin Juridik kemi pasur dhe ende kemi heqje dorë të anëtarëve të Komisioneve Vlerësuese për shkak të mundësive të ndikimit dhe konflikt interesit në forma të ndryshme”, thuhet në shkresë./Insajderi.com