Falimentojnë 87 biznese brenda 9 muajsh në Ferizaj

Falimentojnë 87 biznese brenda 9 muajsh në Ferizaj

Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit e Ferizajt ka publikuar raportin nëntëmujor të punës, sipas të cilit si pasojë e vështirësive financiare gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti janë shuar gjithsej 87 biznese.

Më së shumti po vazhdojnë të shuhen bizneset artizanale, ndërkohë Komuna e Ferizajt gjatë kësaj periudhe ka dështuar ta realizojë ndonjë projekt për stimulimin e tyre, madje nuk ka arritur t’i paguante të paktën as kamatat e kredive bankare, megjithëse gjatë fushatës zgjedhore janë dhënë premtime të vazhdueshme për këtë plan.

Zekir Bytyçi, drejtor i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj, ka thënë se borxhet e trashëguara dhe telashet e tjera financiare e kanë pamundësuar realizimin e ndonjë projekti për stimulimin e bizneseve, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas tij, Kuvendi Komunal tashmë ka miratuar buxhetin për zhvillim ekonomik për 2019, ndaj do të realizojnë projekte dhe do t’i mbështetin bizneset e ndryshme me subvencione.