Familja Dehari: Astriti është vrarë dy herë

Familja Dehari: Astriti është vrarë dy herë

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari thotë se pas arritjes së raportit të ekspertizës nga Lozana e Zvicrës, për rastin “Dehari”, janë detyruar që sot të shkojnë tek prokuroria në Prizren, që si familjarë të tij, të kenë një kopje të këtij raporti, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në një konferencë për media, ai tha se institucionet e vendit ua kanë mohuar ta hapin raportin origjinal, për çka sipas tij ata nuk po duan të jetë transparent procesi dhe ta fshehin.

“Për neve është vrasje e dytë. Vrasja e parë ka ndodhur në nëntor 2016, vrasja e dytë po ndodhë tash”, shtoi ai.

Nëna e Astritit Deharit, Xhemile Dehari tha se me manipulime të tilla, ua kanë humbur besimin ndaj institucioneve të vendit.

“Qysh muj me i besuar Armir Shalës, kryeprokurorit që ai thojke dje ‘këtë raport kena përkthyer me dërguar te familja’. Ne e duam origjinalin. Qysh me ju besuar unë këtyre. Ata tash thonë e kena dërguar në Prishtinë. Qesharake është që për një javë është vonuar raporti me aeroplan. Tash a po duan me qëllim me na shkatërruar”, tha ajo.

Bashkëshortja e Astritit, Arta Dehari tha se është e papranueshme se çfarë po ndodhë gjatë këtyre ditëve.

Kurse, avokati Tomë Gashi edhe një herë ka përsëritur se rasti “Dehari” ka pasur konotacion politik, dhe se për këtë çështje sipas tij edhe është vrarë. Ai thotë se nuk është njoftuar për përmbajtjen e raportit të ekspertizës, së Astrit Deharit, raporton KosovaPress.