Familjarët e aktivistëve të dënuar: Kosova nuk ka fëmijë më të mirë

Familjarët e aktivistëve të dënuar: Kosova nuk ka fëmijë më të mirë

Reagimi i familjarëve të dënuar për terrorizëm, Atdhe Arifi, në sallën ku u shpall aktgjykimi ndaj aktivistëve të VV-së, ndaj trupit gjykues, kanë shtyrë gjyqtarin që ta urdhërojë largimin me dhunë të tyre nga salla.

Në sallën gjyqësore të Gjykatës Themelore të Prishtinës, tensionet janë ngritur me t’u shpallur aktgjykimi ndaj katër aktivistëve të VV-së, që u dënuan për sulmin terrorist të 4 gushtit 2016 ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.

Ato kanë vazhduar edhe pasi ka përfunduar seanca e shpallje së vendimit.

Më e zëshmja ka qenë nëna e Atdhe Arifit, e cila përsëriste se dënimi ndaj të birit është i padrejtë dhe politik, shkruan Gazeta Express.

“Krenohemi për fëmijët tanë, nuk ka Kosova fëmijë më të mirë”, thoshte nëna e të dënuarit për terrorizëm.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 21 vjet e gjysmë burgim, gjithsej, katër aktivistët e VV-së që u shpallën fajtorë për sulmin terrorist të 4 gushtit 2016, ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i VV-së, Frashër Krasniqi, sipas aktgjykimit të shpallur të premten, është dënuar më 8 vjet burgim, Atdhe Arifi me 6 vjet burgim, Egzon Haliti 5 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burgim.

Gjykata ka urdhëruar që Krasniqi, Arifi dhe Haliti të dërgohen menjëherë në paraburgim, për shkak të lartësisë së dënimit, derisa Adea Batusha do të qëndrojnë në liri deri në plotfuqishmërinë e vendimit.