Fati i ish-ushtarit të UÇK-së në dorë të Serbisë – ja edhe sa ditë mund të qëndrojë në burg

Fati i ish-ushtarit të UÇK-së në dorë të Serbisë – ja edhe sa ditë mund të qëndrojë në burg

Gjykata Penale e Maqedonisë së Veriut po e pret arsyetimin e Beogradit për fletë-arrestin e lëshuar ndaj ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i arrestuar nga autoritetet maqedonase një javë më parë në kufirin Han i Elezit në Bllacë.

Serbët kanë 45 ditë kohë për të argumentuar ekstradimin e tij, por përsëri do të jenë organet e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut që do të vendosin nëse ka apo jo arsye për ekstradim.

Avokati Naser Raufi, për Televizionin Alsat bëri të ditur se kërkesa e tij për të lënë në liri Morinën është refuzuar nga Këshilli i Gjykatës Penale për krim të organizuar.

Raufi thotë se institucionet vendase nuk po tregohen neglizhente dhe se në kohë po përgjigjen në kërkesat dhe ankesat e klientit të tij.

Alsat ditë më parë njoftoi se edhe në rast të kërkesës për ekstradim, autoritetet në Maqedoninë e Veriut mund të përdorin nenin tjetër të Ligjit për ekstradim, i cili thotë se nëse ekzistojnë dyshime që në shtetin ku kërkohet ekstradimi, gjykimi nuk do të jetë i drejtë apo mund të cenohet siguria e personit në fjalë, atëherë kërkesa për ekstradim mund të hidhet poshtë dhe personi të lirohet.

Neni 66, pika 3 e Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtarë për materie penale

“Ministri nuk do të lejojë ekstradimin e personit për të cilin është kërkuar ekstradim, nëse ekzistojnë arsye serioze të dyshimit se ai mund t’i nënshtrohet torturës dhe apo ndonjë lloji tjetër trajtimi mizor, çnjerëzor ose degradues, ose shqiptim i dënimit me vdekje”.

Morina, përveç shtetësisë së Kosovës, ka edhe shtetësi të Britanisë së Madhe e cila gjithashtu, sikurse autoritetet kosovare, ka shprehur interes për lirimin e tij.