Fëmijët të rrezikuar nga temperaturat e larta – mjekët japin këto rekomandime

Fëmijët të rrezikuar nga temperaturat e larta – mjekët japin këto rekomandime

Me ngritjen e temperaturave gjatë javëve të fundit është rritur edhe numri i pacientëve, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) e nëpër institucionet tjera publike mjekësore në vend.

Derisa vendi po përballet me temperatura të larta e që ditëve të fundit kanë arritur deri në 36 gradë Celsius, është rritur edhe numri i pacientëve të prekur me sëmundje kronike e me gjakderdhje në tru. Për shkak të motit të nxehtë Klinika Emergjente në kuadër të QKUK-së së fundmi është mbingarkuar me pacientë.

Mjeku kujdestar në këtë Klinikë, Avdush Bajgora, ka thënë se kohëve të fundit është rritur jashtëzakonisht shumë numri i pacientëve në këtë klinikë. Sipas tij, ka raste të shtuara me gjakderdhje në tru e sëmundje kronike kardiovaskulare.

“Është shtuar jashtëzakonisht shumë numri i personave me sëmundje kronike kardiovaskulare. Kemi raste më të shtuara edhe me gjakderdhje në tru dhe kemi raste që vinë në gjendje të rëndë dhe e gjithë kjo si rezultat i ekspozimit në diell. Referencë imja është që prej orës 10 deri në orën 17:00 qytetarët t’u shmangen daljes nga shtëpitë”, ka thënë ai për “Zëri”.

Bajgora ka thënë më tej se kanë numër të madh të pacientëve edhe për shkak të referimeve që bëhen nga qytetet tjera për në këtë klinikë.

“Fakti më i keq është se ambulancat dhe shtëpitë e shëndetit nuk i trajtojnë të gjithë, por i sjellin te ne. Na vijnë pacientë nga Prishtina, nga Peja e nga Malisheva dhe me të vërtetë jemi në gjendje shumë të rëndë”, ka thënë ai.

Përveç të rriturve, edhe fëmijët rrezikohen nga temperaturat e larta. Pediatri Ramush Beiqi ka thënë se nëse fëmijët qëndrojnë jashtë gjatë kohës kur temperaturat janë të larta, atëherë ata mund të kenë humbje të vetëdijes e po ashtu edhe probleme të tjera si humbja e lëngjeve. Ai ka rekomanduar që fëmijët t’i shmangen ekspozimit në diell nga ora 11 deri në orën 17:00.

“Si e gjithë popullata, edhe fëmijët rrezikohen nga moti i nxehtë, për atë arsye kërkohen masat e përgjithshme si shmangja e ekspozimit ndaj diellit në kohën kur vala e ngrohtë është më e larta, pra nga ora 11 deri në orën 17:00. Me ngritjen e temperaturave rritet edhe mundësia e prishjes së ushqimit, sidomos prodhimet e mishit dhe ato të qumështit e konsumimi i tyre mund të shkaktojë sëmundje që shoqërohen me vjellje e barkëqitje”, ka thënë ai.

Beiqi ka thënë se gjatë kohës kur temperaturat janë të larta fëmijët duhet të qëndrojnë në shtëpi, të konsumojnë më shumë lëngje, pemë e perime.