Ferizajasi dënohet me dy vjet burgim për kultivim të bimëve narkotike

Ferizajasi dënohet me dy vjet burgim për kultivim të bimëve narkotike

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamentit për Krime të Rënda, ka dënuar me dy vjet burg të pandehurin A.B, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit nga neni 278 paragrafi 1 tëKodit Penal të Kosovës.

“Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Bashkim Hyseni, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor,  pranimit të fajësisë nga i pandehuri për veprën penale të ngarkuar sipas aktakuzës, të pandehurin e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet, ndërsa bimët e kanabisit të mbjella konfiskohen konform nenit 278  paragrafi 2 të KPPRK-së”, thuhet në komunikatën e Themelores në Ferizaj.

A.B, akuzohet se në shtator të vitit 2017, në Komunën e Shtimes, në një mal ka kultivuar bimë narkotike të llojit marihuanë, duke mbjellur 102 bimë narkotike. 25 bimë kanë qenë të njoma, kurse 77 bimë të thata – të përgatitura për shitje apo shpërndarje, të cilat pas kontrollit nga ane e Policisë janë konfiskuar.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt. /Insajderi.com