<" />

Fermerët protestojnë me traktorë para Ministrisë së Bujqësisë

Fermerët protestojnë me traktorë para Ministrisë së Bujqësisë

Të pakënaqur me kriteret për subvencionimin e grurit, mëngjesin e së enjtes fermerët kanë protestuar me rreth 200 traktorë para Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas tyre, kriteret për subvencionim janë absurde, duke thënë se forma se si janë vendosur “do të bëjë që mbi 80 për qind e bujqve të mbesin pa të drejtë aplikimi dhe s’do të fitojnë asgjë nga shteti”.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, ka thënë se presin deri më 27 shtator që ministri i Bujqësisë, Faton Peci, të reflektojë e t’i pranojë në takim dhe të anulojë menjëherë kriteret për subvencionim të grurit, t’i kthejë ato kritere që ishin vitet e kaluara.

“Kërkojmë që për vitin e ardhshëm të konsultohen me ne, para se të përcaktohen kriteret, jo të punojnë krye në vete. Po ashtu kemi disa kërkesa të tjera, por po presim që ministri të reflektojë”, ka pohuar Tahiri.

Më 13 shtator, fermerët nga e gjitha Kosova kanë dorëzuar në Ministrinë e Bujqësisë peticion kundër kritereve që ata i quajnë absurde për subvencionim të grurit./Insajderi.com