Feronikeli, 90 minuta larg historisë në Evropë

Feronikeli, 90 minuta larg historisë në Evropë

Sonte (e martë) luhen 6 nga 16 takimet e kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ku suksesin historik do ta kërkojë kampioni i Kosovës, Feronikeli.

Për Feronikelin ky është një moment historik, sepse në pjesëmarrjen e parë në Champions League ka shanse shumë të mira për t’u kualifikuar në raundit e dytë, çka do t’i siguronte përfitime të konsiderueshme financiare.

Ekipi nga Drenasi do ta presë skuadrën kampione nga Uellsi, The New Saints, me fillim nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Ndeshja e parë u mbyll barazim 2-2 një rezultat shumë i mirë për Feronikelin, duke ditur se paka para se të përfundonte sfida ishte në disavantazh 2-0.

Kësisoj, skuadrës që drejtohet nga Zekirija Ramadani i mjafton barazimi 0-0 ose 1-1 për t’u kualifikuar tutje.

“Nuk do të kërkojë fitoren e as nuk do të mundohemi të luajmë lojë të bukur dhe pastaj të eliminohemi. TNS-ja, nuk ka çfarë të humbë, kurse ne kemi të dy rezultatet në favorin tonë. Neve na intereson vetëm kualifikimi në raundin e dytë, Nikli duhet të jetë shumë i kujdesshëm për të mos pësuar gol”, ka thënë para ndeshjes trajneri Zekirija Ramadani.

Në rast se arrin të kualifikohet në raundin e dytë të Championsit, skuadra kampione e Kosovës do të përballet me Copenhagen të Danimarkës.