fbpx

Ferrari Classic me vlerë milionëshe u vodh gjatë vozitjes provuese

Një "koleksionist" i makinave përdori mundësinë e testimi të veturës për të vjedhur një Ferrari me vlerë prej 2 milionë eurosh (1.7 milionë funte).

Ferrari Classic me vlerë milionëshe u vodh gjatë vozitjes provuese

I dyshuari kishte shprehur interes për blerjen e një Ferrari 288 GTO 1985, thonë policët në qytetin gjerman të Düsseldorfit.

Ai erdhi me taksi te shitësi dhe dy orë më vonë, gjatë një vozitjeje provuese, erdhi koha për t’u ndërruar shoferët.

Por kur shitësi doli nga vetura, blerësi i mundshëm e shkeli gazin dhe u zhduk. Vetura më vonë u gjet në një garazh.

Policia thotë se vetura “old-timer” me 43,000 km (27,000 milje) të kaluara vlerësohet në më shumë se 2 milion euro.

Në listën e publikuar në faqen e internetit të tregtarit të veturave figuron se dikur i përkiste ish-pilotit të Formula 1 nga Irlanda Veriore Eddie Irvine – i cili garonte për Ferrarin gjatë viteve 1996-1999.

Automjete të ngjashme janë listuar shpesh me çmime rreth 1.5-2 milion funte, ose mbi 3 milion dollarë në SHBA. Shpesh ato shiten përmes ankandeve të specializuara në shtëpitë e Sotheby’s.

Për fat të mirë për hetuesëve, makina e cila dallohet me ngjyrë të kuqe të ndritshme italiane “Rosso Corsa” tërhoqi aq shumë vëmendje saqë u gjet shpejt në mbrëmje të martën pasi policia kërkoi ndihmën e dëshmitarëve.

Ajo u gjet e fshehur në një garazh në qytetin e Grevenbroich, jo shumë larg qytetit të Düsseldorfit.

Sidoqoftë, i dyshuari mbetet i lirë. Policia ka publikuar një fotografi të personit i cili e këqyrë me interesim Ferrarin para vjedhjes.

Drejtori menaxhues i ndërmarrjes së shitjes së veturave tha për gazetën Westdeutsche Allgemeine Zeitung se ky njeri kishte shkëmbyer thirrje telefonike dhe mesazhe elektronike gjatë një kohe prej disa javësh.

Bernhard Kerklo i tha gazetës se kjo veturë kurrë nuk do të mund të shitej në treg pasi “shumë binte në sy”./Insajderi.com.