Festa e Çlirimit nën hijen e zgjedhjeve

Festa e Çlirimit nën hijen e zgjedhjeve

18 vjet më parë mijëra trupa ushtarakë të NATO-s hynë në Kosovë duke i dhënë fund luftës së përgjakshme dhe terrorit serb që ushtrohej mbi popullin shqiptar.

Ardhja e paqeruajtësve u prit me brohoritje dhe me gëzim të papërshkrueshëm. Bashkë me hyrjen e këtyre ushtarëve në Kosovë u kthen edhe shumë qytetarë që u dëbuan nga shtëpitë e tyre mizorisht.

Megjithatë, tani pas 18 vitesh nga kjo ngjarje, nuk pati asnjë lloj organizimi apo manifestimi për nder të kësaj dite nga Qeveria e Kosovës apo nga Komuna e Prishtinës, pasi kryeqyteti kosovar shënon sot Ditën e Çlirimit të Prishtinës.

Subjektet politike të entuziazmuara nga rezultatet e zgjedhjeve, secila duke shpallur fitoren e vet, mbaruan mbrëmë festimet e tyre duke e lënë në harresë këtë ditë.

Përkundër fjalëve të tyre gjatë fushatave që së bashku me festimin e fitores do të festojnë edhe çlirimin e Kosovës. Avdullah Hoti dhe Albin Kurti patën përmendur ditën e çlirimit si ditë feste edhe për fitoret e tyre.

Ndërsa sot, Kurti vetëm e ka uruar përmes një postimi në Facebook këtë ditë, duke ia bashkangjitur edhe urimin për “fitoren e Vetëvendosjes”.

“Sot janë bërë 12 vjet të Lëvizjes sonë, 18 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe tash po e festojmë fitoren e VETËVENDOSJE!-s. Urime kjo festë e demokracisë. Urime të gjithë njerëzve të vendit tonë që shfrytëzuan mundësinë politike, që ushtruan të drejtën demokratike dhe që kryen obligimin qytetar. Urime të gjithëve!”, ka shkruar Kurti.

Liderët e tjerë politik si Ramush Haradinaj e Isa Mustafa dhe kandidati për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti, nuk kanë uruar këtë ditë, me përjashtim të Behgjet Pacollit.

“Populli shqiptar priti me krahët hapur çlirimtarët dhe marrëdhënia jonë me perëndimin, prej atij momenti fitoi një dritë të re. Popullit të Kosovës, i uroj nga zemra 18 vjetorin e çlirimit”, ka shkruar Pacolli.

Mirëpo, fushatën e bombardimeve të aleancës veriatlantike qytetarët e Prishtinës e konsiderojnë si intervenimin më të suksesshëm ushtarak të shekullit të 20-të.

“Atë ditë ishte si thonë në fenë katolike ‘Krishti u ngjall përsëri’”, ka thënë një qytetar për televizionin Klan Kosova.

Megjithatë edhe disa qytetarë u ndjenë keq që nuk pati asnjë aktivitet për nder të kësaj feste.

12 qershori është pjesë e ditëve memoriale por nuk është festë zyrtare në Kosovë. /Insajderi.com