FFK bën të ditur nëse kryetari Agim Ademi do të largohet nga posti pas vendimit për dënim me 9 muaj burgim

FFK bën të ditur nëse kryetari Agim Ademi do të largohet nga posti pas vendimit për dënim me 9 muaj burgim

Në aktgjykimin e shpallur të premten, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është dënuar me nëntë muaj burgim efektiv, për veprën penale të detyrimit në tentativë.

Menjëherë pasi ai është shpallur fajtor, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur një takim, pas së cilit ka lëshuar këtë komunikatë:

Me rastin e komunikimit të vendimit të sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku presidenti i FFK-së, Agim Ademi është dënuar me 9 muaj burgim, proces ky i nisur qysh në vitin 2012, sot pasdite, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, nën drejtimin e presidentit Ademi ka mbajtur një takim. Me këtë rast, presidenti Ademi para anëtarëve të KE-së ka thënë se komunikimin e vendimit të sotëm e konsideron të padrejtë dhe të pabazuar, sepse nuk e ndjen veten fajtor.

Presidenti Ademi do të vazhdojë t’i ndjekë deri në fund të gjitha procedurat ligjore – ankimore,  të cilat janë të parapara me ligjet e vendit, jo për ta mbrojtur postin, por për ta dëshmuar pafajësinë e tij dhe për ta mbrojtur kredibilitetin e institucionit. Gjithsesi, presidenti Ademi do t’i respektojë të gjitha vendimet e institucioneve çfarëdo qofshin ato në përfundim.

Presidenti Ademi falënderon të gjithë akterët e futbollit për përkrahjen dhe premton se do të vazhdojë njësoj me punë dhe përkushtim në drejtimin e FFK-së dhe sukseseve të reja, ashtu siç ia garanton Kushtetuta  e vendit dhe aktet normative të FFK-së.

Njëkohësisht KE i FFK-së i jep mbështetje të fuqishme presidentit Agim Ademi që të vazhdojmë së bashku me trendin e sukseseve nën drejtimin e tij dhe fton opinionin e gjerë dhe të gjithë dashamirët e futbollit që këtë lajm ta marrin me qetësi dhe maturi.

KE i FFK-së konsideron se kjo është një tjetër sfidë e radhës, e cila besojmë fuqishëm se do të tejkalohet dhe do të na bëjë edhe më të fortë në realizimin e vizionit dhe objektivave të FFK-së.