FFK-ja del kundër De Biasit, nuk ka marrëveshje për futbollistët nga Kosova

FFK-ja del kundër De Biasit, nuk ka marrëveshje për futbollistët nga Kosova

Federata e Futbollit të Kosovës ka mohuar fjalët e trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi, se ekziston një marrëveshje mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe asaj të Kosovës, që kjo e fundit të mos ftojë futbollistët kosovarë të Kombëtares kur të pranohet në UEFA dhe në FIFA.

De Biasi, të mërkurën, në një intervistë për mediet e huaja, ka thënë se asnjë futbollist kosovar nuk do të largohet nga Shqipëria pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, pasi për këtë ka një marrëveshje. Por, nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se diçka e tillë nuk ekziston.

Më herët edhe përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, ka deklaruar se do të ftojë gjithë kosovarët kudo që luajnë.

Kombëtarja e Shqipërisë, për herë të parë në histori, është kualifikuar në “Euro 2016” dhe futbollistët kosovarë kanë luajtur mjaft rol në ekipin e De Biasit.

Janë rreth 15 kosovarë që ftohen rregullisht ose herë pas here, kurse në disa ndeshje, deri në shtatë prej tyre ishin titullarë.

“Kemi 50 për qind të lojtarëve nga Kosova në skuadër, që kanë zgjedhur të luajnë për Shqipërinë. Pasi të njihet Kosova nga FIFA, askush nuk do të largohet nga Kombëtarja shqiptare.

Kemi një marrëveshje me miqtë dhe vëllezërit tanë kosovarë, sipas së cilës ata lojtarë që janë aktualisht me Shqipërinë nuk do të thirren nga Kosova”, është shprehur De Biasi.

Ndërkohë nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se Kosova në fillim të muajit maj mund të pranohet në UEFA dhe FIFA. Pas kësaj, Përfaqësuesja e Kosovës pritet të përfshihet në grupet eliminatore për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.

Dhe sipas Ademit, pas pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare të futbollit, asnjë futbollisti nuk mund t’i mohohet e drejta për të zgjedhur se për kë do të luajë.

“Nuk ka asnjë marrëveshje të tillë, edhe pse raportet i kemi superiore. Pas pranimit të FFK-së do të shohim si do të shkojnë gjërat, por të drejtën për të luajtur për Kosovën nuk mund t’ia mohojmë askujt”, u shpreh Ademi, i cili vetëm sa ka turbulluar ujërat në mes të dy federatave në këtë çështje mjaft të rëndësishme për të dyja përfaqësueset.