Fiat pranë bashkimit biznesor me Renault

Fiat pranë bashkimit biznesor me Renault

Gjiganti italiano-amerikan Fiat Chrysler pritet të lajmërojë bashkimin me Renault gjatë javës, duke krijuar mundësinë të bëhet pjesë e aleancës Renault-Nissan.

Sipas burimeve të Financial Times, përcjell Telegrafi, Nissan partner i Renault për dy dekada, nuk është përfshirë në këtë shkrirje, pavarësisht se transaksioni do të lejojë prodhuesit që të bashkojnë fuqitë.

Ndërkohë që shitjet e makinave kanë rënë në tregjet më të mëdhenj në botë si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinë dhe Evropë, kompanitë ndodhen nën presion për të bashkuar fuqitë dhe investimet, ndërkohë që përpiqen të zhvillojnë teknologji të reja si makinat pa pilot dhe motorët elektrikë.

Renault është përpjekur të fuqizojë aleancën me Nissan, që u trondit nga arrestimi i ish-kryetarit të bordit, Carlos Ghosn.

Marrëveshja me Fiat do të shtonte presionet ndaj Nissan dhe njëkohësisht do të bënte partneritetin më tërheqës.

Nëse Fiat Chrysler i shtohet aleancës Renault-Nissan-Mitsubishi, që është krijuar që në vitin 1999, kjo do të krijonte prodhuesin më të madh të makinave në botë, me shitje në 15.6 milionë veturave në vit. Lideri aktual, Volkswagen vitin e kaluar ka shitur 10.8 milionë makina.