“Fillojmë mbledhjen në 7 të mëngjesit”, del e rrejshme deklarata impresionuese e Haki Abazit

“Fillojmë mbledhjen në 7 të mëngjesit”, del e rrejshme deklarata impresionuese e Haki Abazit

Koalicioni qeverisës mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, sot po qëndron në Prevallë, në një takim pune.

Sipas deklarimeve nga dy partitë, ata sot do të diskutojnë për programin qeverisës 2020-2023. Insajderi ka kontaktuar me Ministrin e Mbrojtjes, Anton Qunin përmes telefonit ndërsa ai e ka konfirmuar se takimi ka filluar në orën 09:00.

“Takimi ka filluar në orën 09:00, të gjithë ministrat jemi prezent”, ka thënë shkurtimisht Quni për Insajderin.

Për takimin e sotëm, Zëvëndëskryeministri i dytë, Haki Abazi, ka deklaruar se do të mbahet në orën 07:00.

“Nga ora 7 e mengjesit deri në mesanatë do të mbahet mbledhja e gjithë kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, duke mos bërë të ditur se sa persona do të marrin pjesë në këtë takim” ka thënë Abazi për Infokus.

E në anën tjetër, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se në këtë program të LDK-së dhe VV-së, do të reflektohet plotësisht marrëveshja e koalicionit.

“Sot, në takim pune në Sharr me gjithë kabinetin qeveritar, diskutojmë Programin Qeverisës 2020-2023. Në këtë program reflektohet plotësisht marrëveshja e koalicionit, ku janë të specifikuar masat që do të ndërmarrim për të rritur punësimin, për kujdes social gjithëpërfshirës, për arsim e shëndetësi cilësore, rend e ligj për të gjithë, mbështetje për bujqësinë, diplomaci të fortë, kujdes për mërgatën tonë e çështje tjera”, ka shkruar Hoti.