Fillon numërimi i votave nga diaspora, ndërsa ato me vonesë nuk do të procedohen

Fillon numërimi i votave nga diaspora, ndërsa ato me vonesë nuk do të procedohen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se sot fillon numërimi i votave nga diaspora, shkruan Insajderi. 

Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ ka thënë se në këto momente ka filluar procesi i numërimit të rreth 13 mijë e 500 fletëvotimeve të cilat kanë ardhur përmes postës gjatë periudhës së votimit 19 shtator – 5 tetor 2019.

“Ky numërim fillon pas vlerësimit që i është bërë pakove me fletëvotime që kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës. Vlerësimi, si proces, ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon, në mënyrë që fletëvotimi të aprovohet ose refuzohet. Kësisoji, gjatë periudhës së vlerësimit janë proceduar dhe vlerësuar 16 mijë e 189 pako të supozuara me fletëvotime, prej tyre 13 mijëe 491 janë aprovuar ndërsa 2 mijë e 698 janë refuzuar”, ka deklaruar Elezi.

Mes tjerash ai tregoi se arsyet që janë refuzuar votat nga disa votues janë të ndryshme

“Arsyet se përse janë refuzuar rreth 2 mijë e 700 persona janë si në vazhdim: 1 mijë e 74 persona që nuk kanë aplikuar në periudhën për t’u regjistruar si votues jashtë vendit; 204 aplikues të cilët janë refuzuar gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë vendit; 62 persona të cilët janë dërguar pako me fletëvotime më shumë se një herë; 797 raste të tjera kur personat që nuk janë identifikuar që kanë dërguar fletëvotim; dhe 561 persona që nuk e kanë dëshmuar identitetin me dokumente valide të identifikimit (që kanë dërguar kopje të dokumenteve me afat të skaduar)”, ka thënë ai.

“Numërimi i të gjitha këtyre fletëvotimeve do të bëhet në 23 tavolina numërimi. Rezultati i këtij numërimi do të përditësohet kohë pas kohe në tabelën e QNR-së si dhe gjithashtu formularët që plotësohen pas këtij numërimi do të skanohen dhe publikohen në ueb faqe të KQZ-së”.

Në anën tjetër ai ka bërë me dije se votat nga diaspora që kanë ardhur me vonesë nuk do të procedohen.

“Shërbimi Votues i Zgjedhjeve përfshin vetëm votat që kanë pranuar brenda afatit ligjor, e jo ato që kanë ardh me vonesë”, ka shtuar ai.