Filmi “Të Thyer” i Edmond Budinës shpallet fitues në festivalin e Salernos

Filmi “Të Thyer” i Edmond Budinës shpallet fitues në festivalin e Salernos

Filmi “Të Thyer” me skenar dhe regji nga Edmond Budina është shpallur fitues i festivalit të 72 të Salernos në Itali. Këtë vit ishin 120 filma në konkurrim midis të tjerëve mori pjesë edhe Matteo Garrone me “Dogman”.

Producentja Adele Budina shprehet entuziaste për këtë vlerësim në një prej festivaleve më të vjetër të filmit.

”Shoh me kënaqësi që filmi ka vlera universale dhe po pëlqehet edhe nga një publik i huaj. U vlerësua nga një juri ndërkombëtare edhe për nivelin e tij artistik dhe kritika e specializuar arriti ta zbërthejë në detaje dhe ta vlerësojë. Si producente e A. B. Filmit, çmimi është shumë i rëndësishëm për vlerën artistike, për faktin që festivali është ndër më të vjetrit, por edhe pse me filmin e parë nën prodhimin tim personal mora një çmim kaq të rëndësishëm dhe kjo nuk u ndodh të gjithëve në fillimin e karrierës”, shprehet producentja Budina.

Filmi “Broken” (Të Thyer) është një tjetër çmim për regjisorin e njohur Edmond Budina, por ky vlerësim shkon dhe për kinematografinë shqiptare. Producentja Adele Budina shprehet me falënderime për të gjithë që ndihmuan për filmin.

”Është emocionuese të shohësh njerëzit me lot në sy në fund pas projektimit të filmit në kinema, dhe ky çmim vjen pas shume sakrificave , pas kaq shumë pune e zhgënjimesh. Kam zemrën të mbushur me gëzim, jam e nderuar dhe e lumtur për atin dhe familjen time që janë munduar me shumë sakrifica, si të gjithë emigrantët, për të pasur një jetë sa më dinjitoze në Itali. Jam e gëzuar për Shqipërinë, vendi im, dhe për Qendrën Kombëtare të Kinematogarfisë, që na dha mundësinë të realizojmë një film me temë universale. Po ashtu dua të falënderoj dhe Italinë, vendin tim të dytë, me MIBACT (ministria italiane e Kulturës) që më ka mbështetur gjithmonë, po ashtu falënderoj Agjencinë Maqedonase të Filmit që përkrahu “Të Thyer”, gjithë bashkëpunëtorët dhe gjithë stafin”, vijon Budina.

Produenctja tregon se puna me filmin ka pasur synim për të sjellë një prodhim kinematografik sa artistik dhe shoqëror. Në gjithë këto vite nga Festivali i Salernos kanë kaluar emrat më të mëdhenj të kinemasë botërore, këtu filluan hapat e tyre të para Mario Soldati, Norman MacLaren, Vittorio De Sica Claude Lelouch, Giorgio Treves, Manfredo Manfredi, Duccio Tessari, Alberto Sordi e shumë të tjerë etj.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Salerno arriti këtë vit në edicionin e tij të 72 dhe është një nga më të vjetrit në botë.