Filozofi i VV-së vazhdon të tallet me luftën e Haradinajt dhe vëllezërve të tij

Filozofi i VV-së vazhdon të tallet me luftën e Haradinajt dhe vëllezërve të tij

Hysamedin Feraj, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje nga Tirana, është tallur me luftën e vëllezërve Haradinaj në Kosovë, përfshirë Ramush Haradinajn, që ishte komandant në Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së.

Në një shkrim në Facebook, disa orë pasi i quajti “pro-serb” politikanët Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi dhe pronarët e mediave Parim Olluri e Berat Buzhala, Feraj ka thënë se lufta e Haradinajt dhe e vëllezërve të tij nuk përbën argument që të mos e quajë atë “pro-serb”.

“Disa përpiqen ta veçojnë Ramushin prej të tjerëve, pikërisht duke dëftuar të ndjenjat dhe sakrificat e tij, por njëkohësisht duke lënë përshtypjen se gabon pa dashje. Domethënë pa mend(im)?”, thotë Feraj.

“Nuk përbën argument lufta e tij. Sepse mbasi ka luftuar dhe mbasi i janë vrarë e plagosur vëllezërit e bashkëluftëtarët e tij, Ramushi, bashkë me Thaçin e Isën, e ka coptuar tashmë njëherë Kosovën. Pse duhet të mos presim ta bëj prapë dhe po bashkërisht me ta?”, shkruan ai.

Në një shkrim skandaloz në Facebook të hënën pasdite, në të cilin e ka akuzuar si “pro-rus” zyrtarin e lartë të administratës Trump, Hysamedin Feraj ka linçuar edhe pronarë mediash.

Ka thënë se Grenelli dhe mediat po lobojnë për “kthimin e pjesshëm ose të plotë të Serbisë në Kosovë”.

“Kthimin e pjesshëm ose të plotë të Kosovës nën Serbinë lobi serbo-rus në SHBA, me përfaqësuesin e vet më të pushtetshëm Richard Grenell, duhet ta bëj pa armë”, ka shkruar Feraj.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Logjikë vs psikologji

Silogjizmi vs emocionit:

.I.

1. Grenelli është pro serb (shih: Pardeë, etj.);

2. Hashimi, Isa, Ramushi, Parimi, Berati, etj., janë pro Grenellit;

Unë nxjerr përfundimin: janë pro Serbisë.

Çfarë përfundimi mund të nxirrni ju, mendimtar, pa dhunuar ligjet e logjikës = ligjet e mendimit?

.II.

Termat “proserb”, “prorus”, “serbofil”, “grekofil” këtu kanë kuptim vetëm logjik, krahasues dhe klasifikues brenda ideve të njohura politike. “Pro” dhe “fil” (nga “filio”) tregojnë vetëm afinitetin e ideve që mundëson bashkimin në një klasë, jo të emocioneve, ndjenjave ose çfarëdo akti tjetër psikologjik.

.III.

Mbase në ndjenja subjektive të gjithë këta e urrejnë Serbinë antishqiptare më shumë se unë. Por unë nuk merrem me psikologjinë empirike të tyre, sepse as nuk di të merrem.

Disa përpiqen ta veçojnë Ramushin prej të tjerëve, pikërisht duke dëftuar të ndjenjat dhe sakrificat e tij, por njëkohësisht duke lënë përshtypjen se gabon pa dashje. Domethënë pa mend(im)?

.IV.

Nuk përbën argument lufta e tij. Sepse mbasi ka luftuar dhe mbasi i janë vrarë e plagosur vëllezërit e bashkëluftëtarët e tij, Ramushi, bashkë me Thaçin e Isën, e ka coptuar tashmë njëherë Kosovën. Pse duhet të mos presim ta bëj prapë dhe po bashkërisht me ta?

Për këtë pres ndonjë përgjigje dhe garanci nga psikologët.

(Sigurisht, pranoj se psikologjja empirike nuk mund të japë atë siguri që jep domosdoshmëria logjike).