Firat kritikon ashpër gjyqtarin kryesor dhe futbollistët e Kosovës

Firat kritikon ashpër gjyqtarin kryesor dhe futbollistët e Kosovës

Përzgjedhësi i Moldavisë, turku, Engin Firat, është shprehur i kënaqur me barazimin ndaj Kosovës në ndeshjen e parë të edicionit të ri në Ligën e Kombeve.

Por, Firat shprehu edhe indinjatën e tij me gjyqtarin kryesor dhe me futbollistët e Kosovës, që sipas tij në një moment të pjesës së dytë, nuk u treguan aspak korrekt, duke mos respektuar “Fair Play”.

“Janë dy gjëra të rëndësishme për t’u diskutuar. Fillimisht, gjyqtari duhej ta përjashtonte një futbollist të Kosovës në pjesën e parë, por nuk ia dha kartonin e dytë të verdhë. Nëse kundërshtari do të mbetej me 10 futbollistë, rezultati do të ishte ndryshe, sidomos pasi që ne po fitonim 1:0”, deklaroi Firat në konferencë, duke aluduar në mesfushorin Herolind Shala, transmeton Insajderi.

“Gjëja e dytë më e rëndësishme është se të gjithë në futbollin evropian duhet të flasin për fair-play, por për mua nuk ka sens kur vërtetë nuk ka fair-play. Ne kishim një lojtar të lënduar, dërguam topin jashtë, ndërsa Kosova mori topin që na takonte neve dhe shënoi për 1:1, ndoshta jo në aksionin e parë por në të dytin. Ata shënuan kur ne ishim me 10 futbollistë në fushë”, shtoi Firat.

Megjithatë, duke parë fuqinë e lojtarëve të Kosovës –  barazimi është rezultat i mirë për ne”, përfundoi Firat./Insajderi.com.